Nesër mbi 26 mijë maturantë kosovarë do t’i nënshtrohen Testit të Maturës, e përgatitjet që ky testim të zhvillohet tashmë i kanë bërë edhe Komunat e Kosovës dhe Ministria e Arsimit. Testi do të zhvillohet në 184 qendra testuese në të gjithë vendin, e në secilën klasë për shkak të mbrojtjes nga virusi COVID-19 nuk do të lejohen më shumë se 12 nxënës e që të gjithë duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse. Për të njëjtën arsye, këtë vit testimi do të jetë vetëm në një ditë, ku nxënësit do të kenë 100 pyetje nga katër lëndë me pragun e kalueshmërisë prej 40 pikëve. Për administrimin e Testit të Maturës, Ministria e Arsimit ka angazhuar mbi 2 mijë e 500 administrues, derisa do të largohen nga testimi ata nxënës që do të zihen me telefona në qendrat e testimit.
Komunat kanë bërë përgatitjen që objektet shkollore të jenë të dezinfektuara dhe të jenë të pajisura me dezinfektues për nxënësit e personelin tjetër që do të jenë në qendrat e testimit. Besim Avdimetaj, kryesuesi i drejtorëve komunalë të Arsimit, njëherësh drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës, thotë se të gjitha komunat kanë bërë përgatitjet për mbajtjen e Testit të Maturës. Avdimetaj për KosovaPress thotë se besojnë që procesi i testimit do të shkojë në rregull edhe pse po organizohet në një kohë pandemie.
“Të gjitha komunat janë të përgatitura për të mbajtur Testin e Maturës me datën 29, janë caktuar administruesit, ekipet monitoruese dhe testet janë të përgatitura dhe do të respektohen masat të cilat janë paraparë nga Këshilli Shtetëror i Maturës të jenë të pajisur me maska dhe dezinfektues të gjitha shkollat. Shpresojmë që Testi i Maturës do të kalojë kësaj radhe me sukses edhe pse është një gjendje mjaftë e rënduar nga pandemia”, thotë ai. Se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Testit të Maturës e thotë edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës Remzi Bajselmani. Ai thotë se janë të gatshëm që ky testim të mbahet edhe sa i përket sigurimit të kushteve për mbrojtje nga virusi COVID-19.
“I kemi bërë të gjitha përgatitjet, madje ne kemi qenë të përgatitur qysh në afatin e parë, të gjitha masat i kemi pas marrë për mbrojtje nga virusi me dezinfektues, me hapësira të mjaftueshme, me ndarjen nëpër klasa nga 12 nxënës me administratorët që do ta administrojnë testin, të gjitha këto i kemi bërë. Edhe tash jemi të përgatitur dhe ky do të jetë një lloj testi paraprak për fillimin e vitit të ri shkollor, por si Komunë kujtojmë që i kemi bërë të gjitha masat”, thotë ai. Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazmi Gagica, thotë se janë të gatshëm që ky testim të mbahet ditën e shtunë.
“Ne edhe në kohën kur është anuluar Testi i Maturës ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet. Kemi qenë të gatshëm dhe pothuajse jemi të gatshëm që të mbajmë Testin e Maturës, jemi të përgatitur kemi mbi 1 mijë nxënës të cilët do t’i nënshtrohen. Pra, jemi të përgatitur në të gjitha shkollat dhe besojmë e shpresojmë që nuk do të kemi probleme”, thotë ai. Mbajtjen e Testit të Maturës nuk e sheh si sfidë as drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Islam Shabani, i cili thotë se të katër qendrat ku do të mbahet testimi janë gati.
“Për testin jemi të gatshëm, do të thotë kemi siguruar materialin e nevojshëm, i kemi përgatitur të gjitha ato që na janë referuar nga qendra dhe absolut e kemi gjendjen nën kontroll sa i përket testit. Për çdo gjë jemi të gatshëm, duke nisur prej hyrjes së oborr të shkollave, distanca që do të krijohet, administruesit që parashihen të jenë aty. Do të thotë Testi i Maturës është tek e fundit një ditë dhe zgjatë dy orë, do të jetë shumë më lehtë për neve ta menaxhojmë”, thotë ai. Të gjitha përgatitjet i kanë bërë edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Shefi i Divizionit për Vlerësim në këtë ministri Fatmir Elezi, deklaron se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Testit të Maturës. Ai thotë se janë marrë edhe të gjitha masat për të siguruar një ambient të sigurt nga virusi për nxënësit që do të jenë në testim.
“Ne si ministri tash veç i kemi bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e provimit të maturës, gjithashtu edhe me drejtoritë komunale kemi pasur disa takime ku i kanë marrë detyrat dhe përgjegjësitë. Duhet të theksoj se kemi një bashkëpunim shumë të mirë me drejtoritë komunale. Përgatitjen e qendrave të testimit e kanë për detyrë drejtoritë komunale, i kanë kryer ato detyra”, thotë Elezi. Testit të maturës do t’i nënshtrohen 26 mijë e 817 maturantë në nivel vendi. Ky testim ishte paraparë të mbahet me 4 korrik, por që është shtyrë për shkak të rritjes së numrit të rasteve të infektuar me COVID-19.