Edi Rama në cilësinë e kreut të OSBE do të jetë pjesë e Këshillit Special që do të mbahet nesër në 28 gusht në Vjenë, në fokus të së cilit do të jenë zhvillimet në Bjellorusi. Kryesia e OSBE rithekson se oferta për një takim në Bjellorusi vijon të mbetet në tryezë. Propozimi i Ramës në cilësinë e kreut të OSBE për të vizituar Bjellorusinë për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës pas zgjedhjeve që nxorën fitues diktatorin Lukashenko, por që sollën valën e protestave masive duke u përshkallëzuar, erdhi më 17 gusht.
Ndërhyrja e OSBE në Bjellorusi për të zgjidhur krizën e krijuar pas zgjedhjeve u mbështet edhe nga SHBA, BE, që nxisin palët për dialog, por edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron i cili tha se ‘kemi pasur disa biseda me Putinin, kemi sugjeruar ndërmjetësimin e OSBE-së, Putin është në favor, por Lukashenko nguron’.
Liderët e Europës vendosën që të mos njihnin zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, të cilat nxjerrin fitues Alexandër Lukashenko, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së opozitës në Bjellorusi. Kancelaria Gjermane, Angela Merkel i quajti zgjedhjet në Bjellorusi “as të lira e as të drejta”.