Gjatë takimeve të zhvilluara me strukturat e LSI, kryetarja, Monika Kryemadhi ka takuar rapsodin e jashtëzakonshëm të Malësisë, lahutistin virtuoz Jonuz Delaj. Kryemadhi ka publikur një foto teksa i bie lahutës ndërsa ka ka sjellë në vëmendje dështimin e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Jashtme për çështjen e trashëgimisë jo materiale së lahutës në UNESCO.

Në foton e publikuar Kryemadhi shfaqet në ngjyrë çokollatë, që tregon se ka pushuar gjatë në plazh. “Gjatë takimeve të zhvilluara me strukturat e LSI si kryetare partie, në Malësinë e Madhe, pata kënaqësinë që të takoj si qytetare, rapsodin e jashtëzakonshëm të Malësisë, lahutistin virtuoz Jonuz Delaj. Janë mijëra vargje të Eposit shqiptar që janë kënduar me këtë instrument të pakrahasueshëm dhe përcjellë brez pas brezi si një trashëgimi e rrallë dhe nga më të çmuarat për çdo brez shqiptarësh.

Një vepër e rrallë dhe monumentale, ku ndërthuret letërsia, tradita dhe historia jonë. Ndërsa në anën tjetër mu përvijua dështimi i Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Jashtme për çështjen e trashëgimisë jo materiale së lahutës në UNESCO.Megjithëse ka kaluar mbi një vit e gjysëm ende asnjë veprim, vetëm fjalë dhe propagandë. Ka shtatë vite në qeverisje dhe nuk ka bërë asnjë veprim për regjistrimin e Eposit të Kreshnikëve në trashëgiminë jo materiale në UNESCO, megjithëse studimi është i plotë dhe ka fituar dhe çmim nga Europa Nostra.

Ministria e Kulturës dhe qeveria e Rilindjes do të kujtohen si shkatërruesit dhe rrënuesit e Kulturës dhe vlerave materiale e historike të saj. Do të kujtohen për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar si dhe dhjetëra ndërtesave të trashëgimisë kulturore të kategorisë së parë dhe të dytë në Tiranë.Do të mbahen mend si rrënuesit e vlerave për t’i hapur rrugë betonizimit dhe pastrimit të parave nëpërmjet ndërtimit.

Ndaj LSI dhe Opozita e Bashkuar duhet të investojë seriozisht në ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore të shqiptarëve. Duhet të rikuperojmë sa më shumë nga ky shkatërrim talebanesk i Rilindjes.

Opozita e Bashkuar nuk është thjesht vetëm një emërtim politik, por është edhe një koalicion shumë më i gjerë.

Ai është një bashkim me qytetarët si Jonuzi dhe me të gjithë përfaqësuesit dhe përçuesit e vlerave kombëtare dhe ruajtësit e tyre”, shkruan Kryemadhi.