Facebook dhe Twitter kanë penalizuar Donald Trump pasi ky i fundit kishte publikuar një deklaratë të tijën ku pretendonte se fëmijët ishin “pothuajse imunë” ndaj koronavirusit. Facebook fshiu videon nga një intervistë që Trump dha për Fox News – duke thënë se ajo përmbante “dezinformata të dëmshme për Covid”. Më pas Twitter bllokoi një postim që kishte të bënte me të njëjtën intervistë. Shëndeti Publik në SHBA e ka bërë të qartë se fëmijët nuk kanë imunitet ndaj COVID-19.
Një zëdhënës i Facebook tha të mërkurën në mbrëmje: “Kjo video përfshin pretendime të rreme se një grup njerëzish janë të imunizuar nga COVID-19 që është një shkelje e politikave tona rreth dezinformimit të dëmshëm të COVID”. Kjo ishte hera e parë që gjigandi social kishte ndërmarrë veprime për të hequr përmbajtjen e postuar nga presidenti bazuar në politikën e tij mbi dezinformimin, por jo hera e parë që e ka penalizuar Trump-in për përmbajtjen në faqen e tij. Më vonë të mërkurën, Twitter bëri të njëjtën gjë dhe tha se kishte bllokuar profilin e @TeamTrump sepse postoi të njëjtin fragment të intervistës, të cilin e shpërndau profili i Presidentit Trump.
Muajin e kaluar Twitter pezulloi përkohësisht djalin e zotit Trump, Donald Jr, për një video mbi koronavirusin dhe hidroksiklorokuinën. Por në mars, Twitter bëri të kundërtën kur tha se një postim nga sipërmarrësi Elon Musk që sugjeronte se fëmijët janë “thelbësisht imunë” ndaj koronavirusit, nuk ishte në kundërshtim me rregullat e tij. Me a duket, këto deklarata do të përdoren mjaft mirë nga Trump në argumentet e tij kundërshtuese. /BBC