Ndërsa humbjet në kulturë gjatë pandemisë llogariten rreth 90%, poetja Luljeta Lleshanaku flet për pasoja afatgjata prej mungesës së artit. Ajo sugjeron ndërhyrje të menjëhershme duke u fokusuar ne prodhim e jo në promovim. Duke e konsideruar kulturën, jo si luks, por si nevojë të domosdoshme, a kusht parësor për shoqëri të ndërgjegjshme, ajo sjell shembuj te perëndimit për një qasje mbështetëse që do ta shpëtonte nga honi i mbylljes.
“Pasojat e pandemisë në kulturë janë afatgjata. Nuk bëhet fjalë për një sezon, mund të shkojnë disa muaj e një vit. Në këtë mes Gjermania ka ndërmarrë masa duke dhënë deri në 50 milionë dollarë për mbështetjen e organizatave të kulturës. Nuk është vetëm Gjermania, por ajo ka qenë më e ndjeshmja aq sa lexova një artikull ku thuhej se ‘Gjermania i bëri me turp të gjithë’ me ndihmën për kulturën”, thotë ajo. Ndërsa përmend shtete si Kanadaja, ajo argumenton se Shqipëria një ndërhyrje të tillë e ka të domosdoshme “Shqipëria është një vend i vogël pa mundësi të tilla të mëdha e nuk mund të krahasohet.
Por, pa ndërhyrje, Shqipëria do ketë vakum, një gropë të madh në kulturë”, thotë poetja. Që heshtimi kulturor të mos zëvendësojë sezonet e gjalla artistike, ajo propozon takimet virtuale, si një metodë alternative vetëm për aq kohë sa masat anti-COVID e kërkojnë. “Duhet zgjidhje për kulturën që të mos bllokohet. Sigurisht festivalet ‘online’ janë një zgjidhje. Unë vetë në muajin qershor mora pjesë në Festivalin e Poezisë në Berlin, që ishte planifikuar ndryshe e u bë ndryshe, duke ju përshtatur pandemisë. U bë një takim virtual”.