Rëndësia e përshëndetjes dhe urimit, pastaj rrëshqitja për të harruar baraspeshën e natyrshme shqiptare Izrael – Palestinë
Nga Veton Surroi
1.Presidenti Trump para një jave shpalli marrëveshjen “historike” për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBU). Dy vendet, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, do të vendosnin në javët në fillim marrëdhënie të plota diplomatike, vijë ajrore, telekomunikacion, e kështu me radhë.
Reagimi qe përkrahës në nuanca të ndryshme në shumë vende të botës dhe kishte reagime negative sikur Irani, Turqia e Palestina, por kjo nuk është temë për ta trajtuar në këtë shkrim. Tema është se si nuancat janë të rëndësishme në diplomaci, ashtu si në çdo paraqitje pamore, dhe se si dy shtetet e shqiptarëve, Shqipëria e Kosova, operojnë ende ndonjëherë në formate të blloqeve prej çimentoje që jo rrallë mund të nxjerrin edhe rezultat tjetër prej atij të paramenduar.
Pra, Shqipëria nëpërmjet kryeministrit që njëherësh është edhe ministër i jashtëm dhe Kosova nëpërmjet ministres së jashtme, i dhanë përkrahje kësaj marrëveshjeje. Kryeministri i Shqipërisë madje shprehu dëshirën që edhe shtetet e tjera në rajon të bëjnë pak a shumë të njëjtën gjë, ndërsa ministrja e Jashtme e Kosovës shprehu dëshirën që SHBA-ja të jetë ndërmjetësuese e një marrëveshjeje të njëjtë mes Kosovës dhe Serbisë.
2.Një marrëveshje paqeje – a normalizimi – s’ka si të mos përshëndetet dhe ky ishte rasti edhe me marrëveshjen mes Izraelit dhe EBA. Problemi qëndronte te fjalitë shtesë përtej urimit dhe mundësinë që me to të hyhet në kurthin e lehtë që përmbante kjo marrëveshje.
Kurthi i kësaj marrëveshjeje është një problem i madh që quhet Palestina. Në deklaratën që e ka bërë presidenti Trump për këtë marrëveshje historike, të dakorduar me kryeministrin e Izraelit dhe ministrin e Jashtëm të EBA, ekziston një formulim që mund të shndërrohet në precedent. Në të thuhet se me kërkesë të Trumpit e me përkrahje të EBA, Izraeli do të pezullojë “shpalljen e sovranitetit” mbi disa zona të Bregut Perëndimor, të cilat presidenti Trump ia ka njohur, në formë të njëanshme, Izraelit.
I vënë në deklaratë zyrtare ky formulim mund të jetë një legjitimim i të drejtës së aneksimit të territoreve të pushtuara, madje me pëlqim të një shteti arab, në këtë rast të EBA. Rrjedhimisht, çdo përkrahje modelit të marrëveshjes së normalizimit edhe për shtetet e tjera arabe do të nënkuptonte që ato ta njihnin pezullimin e përkohshëm të “shpalljes së sovranitetit”, duke njohur de facto dhe de iure të drejtën e aneksimit. Pasojat e një precedenti të këtillë me gjasë do të jenë më shumë dhunë e më pak paqe, më shumë mospajtime e më pak zgjidhje. Pasojat mund të jenë më pak gjasa për një shtet palestinez, pra edhe më pak gjasa për paqe bazuar në modelin e dy shteteve.
Për “kurthin palestinez” ka qenë i vetëdijshëm, në urimin e tij, shefi i diplomacisë evropiane, Borell. Edhe ai ka përshëndetur marrëveshjen, por në fjalitë shtesë ka kërkuar që “planet e aneksimit”, siç e ka quajtur ai “pezullimin e shpalljes së sovranitetit”, të braktisen tërësisht. Dhe që të vazhdohen negociatat mes Izraelit e Palestinës në parametrat e njohur të zgjidhjes së dy shteteve.
Një formulim i ngjashëm ka mundur të bëhet nga Tirana zyrtare, jo vetëm ngase politika e saj e jashtme tashmë dakordohet me atë të BE-së – dhe në këtë koordinim Shqipëria prin karshi shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor – por edhe për shkak se Shqipëria nuk ka arsye pse të heqë dorë prej dy pasurive të natyrshme që ka tradicionalisht në politikën e saj të jashtme. Pra, nga njëra anë, respektin për e nga Izraeli, marrë parasysh sjelljen shembullore ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Dhe, nga ana tjetër, përcaktimin për shtetin e pavarur palestinez, shumë para se kjo të bëhej politikë zyrtare e BE-së, madje shumë para se Shqipëria fare të ishte në proces integrues të BE-së.
3.Analogjia me Emiratet nuk i ndihmon gjë Kosovës dhe nuk ka qenë formulim i mençur ai që në të njëjtën fjali ku Kosova, nëpërmjet ministres së Jashtme, uron presidentin amerikan për këtë ndërmjetësim mes Izraelit dhe Emirateve, njëkohësisht uron që SHBA-ja të arrijë një marrëveshje mes Kosovës e Serbinë.
Nuk ka kurrfarë analogjie mes dy “normalizimeve”. Izraeli dhe EBA janë shtete anëtare të OKB-së, nuk janë shtete fqinje dhe nuk kanë pasur luftë të ndërsjellë e cila ende nuk është përmbyllur me marrëveshje paqeje; Izraeli nuk i ka pushtuar Emiratet. Situata është krejt tjetër mes Kosovës dhe Serbisë.
Nëse ka ndonjë analogji, qoftë edhe të largët, Kosova i afrohet në rrëfimin e Lindjes së Mesme më së shumti Palestinës, e kjo nuk është pozitë të cilën e dëshiron Kosova. Për më tepër, nuk është pozitë që e dëshiron as SHBA-ja, që i prin çlirimit, e as BE-ja që është habitati i natyrshëm i Republikës së Kosovës, si dhe tërë Ballkanit Perëndimor.
Rrjedhimisht, Kosova bën mirë që edhe nëse merr pjesë në ngarendjen për të lozur lojën e përkrahjeve diplomatike fillimisht të identifikojë interesin e vet dhe parimet mbi të cilat është e ndërtuar. Interesi i Kosovës, si shtet i përbërë në shumicë prej të përndjekurish, është që të ketë njohje nga Izraeli dhe marrëdhënie të mira me të dhe njëkohësisht të ketë përkrahje për shtetin e Palestinës e dikur edhe përkrahje nga ta. Dhe, ndonëse Izraeli nuk e ka njohur Kosovën e autoritetet palestineze tradicionalisht përcaktohen në krah të Serbisë, politika e këtillë e Kosovës duhet të ndërtohet për shkak të parimeve të shtetit të Kosovës, shtetit të të përndjekurve që gjejnë paqe nën kulmin e vet.
4.“Kujdes me dëshirat, sepse mund të të realizohen”, është tashmë një sentencë e përsëritur gjithandej. Mund të ishte, në këtë rast, “kujdes me urimet, se mbahen mend”.
Edhe një urim ordiner mund të shndërrohet në precedent të ri politik, të paparamenduar nga uruesit. Për shembull, mbi politikën ndaj Palestinës, në rastin e Shqipërisë. Apo në rastin e Kosovës, me pyetjen: nëse anëtarët e kësaj qeverie kërkojnë që SHBA-ja të ndërmjetësojnë marrëveshjen Kosovë-Serbi, a do të thotë se do ta vënë në plan dytësor apo në harresë ndërmjetësimin e BE-së?