Antoinette Kalaj ka lindur dhe është rritur në Bronx, por vjen nga një familje emigrantësh shqiptarë. Që në vogëli Antoinette dha shenjat e para të pasionit që kishte për të performuar apo për tu marrë me modeling. Jo vetëm kaq, por zbuloi se muzika dhe aktrimi ishin gjithashtu ëndrrat e saj.
Kur ishte 17-vjeç, ajo filloi të merrej me modeling dhe ja doli të bënte fushatën e saj të parë për markën e rrobave ‘The Limited’. Ky, dukej të ishte vetëm fillimi për një nga vajzat më të pasura shqiptare. Gjatë kohës që jetonte në Michigan, ajo nisi të merrte leksione aktrimi. Nuk vonoi shumë dhe Kalaj u shfaq tek “Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides”, në rolin e sirenës, ku spikati dhe vendosi t’i përkushtohej aktrimit me kohë të plotë duke u zhvendosur në Los Angeles.
Projekti i radhës për të do të ishte ai në serialin e famshëm të “Gossip Girl”. Filma të tjerë në të cilat ka marrë pjesë shqiptarja e lindur në Amerikë janë “Don Jon” në 2013-in krah aktorit Joseph Levitt dhe “Riddick” me Vin Diesel. Antoinette duket se ja ka dalë të tërheqë vëmendjen edhe të presidentit Trump dora vetë i cili vetëm pak kohë më parë e uroi publikisht.