Mund të kishte qenë një finale paqësore e kampionatit, plot kënaqësi për arritjen e vendit të dytë me një numër të kënaqshëm pikësh (82), që nuk është parë që nga koha e “Tripletës”. Në shtëpinë e Interit, megjithatë, qetësia ka humbur. Për këtë fajësohet fjalët e Antonio Conte në fund të transfertës në Bergamo. Akuza të rëndësishme kundër klubit. Ai mendon se Interi nuk i mbrojti sa duhet trajnerin dhe lojtarët në një vit të trazuar. Një sulm po aq i drejtpërdrejtë, sa i papritur.
Fraza që, siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, i drejtoheshin menaxhmentit të lartë zikaltër. Kaq ka mjaftuar për t’i hedhur benzinë zjarrit. Marrëdhëniet midis palëve janë përkeqësuar dhe, në dritën e angazhimit të afërt në “Europa League” me Getafe, do të ketë një armëpushim. Zikaltrit do të përpiqen të fitojnë një trofe, i pari pas 9 vitesh agjërimi, pastaj të përqendrohen tek e ardhmja dhe të marrin vendimin e duhur për të mirën e skuadrës.
Sipas asaj që raportohet nga “Corriere della Sera”, hipoteza e shkarkimit të Conte nuk është aspak e mundshme. Inter ka mbajtur dy trainerë në listën e pagave (ekziston edhe Spalletti, i lidhur me një marrëveshje deri më 2021), ndaj nuk mund t’i bëjë tre të tillë, duke zëvendësuar “salentinon”. Është gjithashtu pothuajse e pamundur që Interi të kërkojë largimin nga puna për një kauzë të drejtë të trajnerit.
Edhe dorëheqja e ish-mesfushorit të dikurshëm nuk është e besueshme. Heqja dorë nga 12 milionë euro (neto) në sezon do të ishte një veprim sensacional, aq sa mundësia e vetme që lamtumira të materializohet qëndron në një ndarje konsensuale. Po kush do ta zinte vendin e Conte? Për momentin, kandidati i vetëm është Massimiliano Allegri, i cili, në verën e vitit 2014, e zëvendësoi atë te Juventusi. Me pak fjalë, një histori që rrezikon të përsëritet vetvetiu, një “déjà vu” e plotë.
Për Conte, tashmë flitet për destinacione të mundshme në të ardhmen. Rikthimi në Premier League përmes Manchester United nuk duhet të hidhet poshtë apriori, ndërsa thashethemet për një kapitull të dytë sensacional te Juventusi marrin jetë, derisa Sarri mund të lirohet nga detyra.