Sherif Kallaku dhe Bajrama Jashanica janë dy prej lojtarëve që këtë verë kanë lënë Superioren. I pari u shit për 150 mijë euro në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit, kurse mbrojtësi kaloi te Ballkani në Kosovë, për 40 mijë euro. Të dy këta lojtarë kanë menduar që përmes rrjeteve sociale të shprehin falënderimet e tyre për klubet që lënë dhe ikin kështu me fjalët më të mira.

KALLAKU – “Jam i lumtur për aventurën e re, por gjithashtu i trishtë. I trishte sepse largohem nga Durrësi, nga ky qytet që më ka dhënë gjithçka, ku shumë pak do ma ofronin diçka të tillë, për të mos thënë asnjë. Lista e falënderimeve është shumë e gjatë, aq sa nuk mjafton një status për ta ezauruar.

Duke nisur nga presidenca, e cila më ka dhënë një besim dhe suport pa fund, stafi teknik, që më është gjendur gjithmonë pranë, qoftë edhe në ditët e mia të këqija, trajnerët e mi si profesor Shkëmbin dhe profesor Martinin, pa të cilët vështirë që do kisha rendimentin e shfaqur .

Dhe të fundit, por jo më pak të rëndësishmit, tifozerinë durrsake ‘DeD’, të cilët kanë qenë gjithmonë të mrekullueshëm, si në të mirë ashtu edhe në të keq. Jeni të papërsëritshëm (Ju Dua), mbase një ditë fati do na bashkojë sërish”, shkruan fantazisti.

JASHANICA – “Faleminderit Korça dhe KF Skënderbeu! Gjithmonë ndarja është e vështirë. Këto 7 vite ishin momentet më të bukura të karrierës sime deri tani dhe unë nuk do i harroj kurrë çfarë kaluam së bashku.

Dua të falënderoj në radhë të parë të gjithë shokët e skuadrës, presidentin e ekipit Ardjan Takaj, dhe tifozët korçar që në çdo moment, të mirë apo të keq, më kanë përkrahur vazhdimisht. Një falënderim të veçantë kam për gjithë trajnerët dhe në veçanti për profesor Ilir Dajën”, shkruan Jashanica.