Mbi historinë e dy të rinjëve të viteve 1930 dhe librin “Letra grus seme të vdekun”
Nga Fatmira Nikolli
“S’praj tue i thanë vetes se m’ka ndodhë nji padrejtësi e madhe dhe në fund të fundit, e ngarkoj Zotin me përgjegjësi për këtë fatkeqësi temen. Sa ma i madh asht dëshpërimi jem aq ma fort dyshoj në ekzistencën e tij”. Kur Gjovalin Gjadri i shkruan këto radhë, Zejnepi i tij, qe ndarë nga jeta, duke i lënë një boshllëk të madh në shpirt e në rrokullinë rreth tij.
I brengosur dhe i dorëzuar, inxhinieri shkodran, ka humbur të vetmen arsye për të cilën jetonte, vajzën me fytyrë ovale, gruan që dashuronte e nënën e birit të vetëm. Prej humbjes së saj, ai vë në dyshim gjithçka; Zotin të parin, e mandej, jetën fizike e atë shpirtërore. Shtëpia i është kthyer në makth. Kudo gjen gjurmët e Zejnepit, kujton netët përreth zjarrit në oxhak, vitet me të, njohjen, letrat që i shkruante.
Aty është dhe shtëpia, që e patën ndërtuar bashkë, dhoma e saj, dollapi me rrobat e saj që dëshmojnë dëshirën për jetë, rrobat që nuk ka më kush t’i veshë. Dhe duart, duart e saj të lëmuara, gishtërinjtë e hollë, që ai nuk do mundet me i puthë ma. Dhe gjithçka dhemb deri në asht.
Me sytë e errun e lotët e paterun, Gjovalini endet në shtëpinë që e ha e gjen në sirtar, një tufë letrash që ia patën çuar njëri- tjetrit 7 vjet më parë. Kaq qenë vitet e tyne bashkë. E ditën e shtatë Zoti e bëri pushim- e vitin e shtatë ajo e la vetëm. Duke lakmuar i zhuritin vdekjen, Gjovalin Gjadri i shkruan “Letra gruas së tij të vdekun”. Kjo është mënyra e tij për t’u çliruar e për të kuvendue me të, në të vetemne mënyrë që i ka mbetë, duke folur me eterin.
I shkruan gjermanisht dhe i boton më 1943 nën pseudonimin G.Maranaj. Në shqip prej gjermanishtes libri erdhi më 2017 përkthyer prej Ardian Ndrecës, në gegnishte, si gjuha amë e autorit, e si besnikëri ndaj vikatjes që ka pas në dhembje Gjadri, pse dhembja vjen ma e vërtetë e ma e plotë në gjuhën e nënës.
“Letra grues seme të vdekun” rrok gjithë terrin e një burri që ka dashur furishëm e me zemër dhe e ka humbur të dashurën shi kur mendonte se jeta po ju ecte mbarë. Në atë gjendje të rënduar ai shkruan letrat më të bukura të dashurisë, pse siç e pranon vetë, ndryshe prej shkrimtarëve, dhembja e tij është e vërtetë.
Ai është një Orfe i gatshëm të bëjë gjithçka për Euridiçen e tij, por se Zotat nuk i ofrojnë marrëveshje, e ai me Zotin lidhet veç përmes frikës e heraherës, prej shpresës me u bashku në vdekje. Duke mos pas garanci që vdekja e bashkon me Zejnepin, ai edhe për këtë ka frikë, i shkruan letra, si rekuieme ku përmes lotëve e fjalëve përpiqet ta risjellë në jetë Zejnepin, por shí kur i duket se ajo është aty, duart e tij prekin veç ajrinë.
Dikur ai e pyeste nëse buzët e saj qenë shpirt a landë. 7 vjet më pas ato janë veç shpirt. Landa u tret, në nji varr monumental, për të cilën i thotë se e ka ndërtu në paqe me hapësirën përreth, pse të vdekunit, janë pjesë e jona.
Zejnep Toptani, u nda nga jeta 15 gushtin e 1941-t në Merano, ku shkoi pas daljes nga spitali ku pati kryer operacione të pasuksesshme. Ai ia vë fajin për humbjen e saj, familjes së Zejnepit, dasive fetare, e deri mesjetës, ku shqiptarët ju dorëzuan pushtuesit duke bërë që familja e saj mos ta pranonte dhëndrrin e mandej të linte pas dorë shërimin; fajëson mjekut në Itali duke besuar se mjekët austriakë do ta kishin shpëtuar, fajëson luftën dhe mandej sëmundjen. Ai ka bindjen që ata i bashkoi vuejtja e sëmundja.
Ai do ta shkonte tërë jetën i sëmurë e shëndetlig. Nuk do të martohej më, dhe djali me Zejnepin, qe fëmija i vetëm.
Nga dosja e tij e survejimit, del se deri në fund, deshi të ikte nga vendi, vendi ku kujtimet e mbytnin prej dhimbjes, mallit e trishtimit. “Shveshja e drejtave, më kujton përsëri kohët e hershme kur kam kenë student në Austri, ku kam ndie një mungesë, kam hekë një vuajtje që nuk e kam ditë se çka është kanë, por që tash e di se ka kenë vuajtja e mungesës të atdheut, që e kam kërkue gjithmonë dhe nuk e kam gjetë kurr, sa këtu në Shqipëri ….por në degradimin tem kam bindjen me të drejtat dhe pretendimet e mija këtu në Shqipëni, janë pa të realizueshme…. dëshiroj ta le këtë Shqipni. Unë kam një nanë dhe një motër në Austri, që vujn ekonomikisht simbas lajmeve që kam marr…”
As fëmija i mitur, nuk i mjafton për të mbijetuar, madje ka bindjen se nuk është baba i denjë për të, pse, dhembja për Zejnepin, e mbërthen krejtësisht pa e lënë të jetë ati për të voglin që zgjohet natën i trembur. Gjovalin thotë se i vogli e ka humb babën për së gjalli. Brerima e lotëve nuk ndalej, ndërsa tremet ku patën kaluar bashkë e trondisin. Letrat drejtuar së shoqes, përmbledhin gjithë ç’qe e tyrja, e gjithë ç’humbi ai kur mbeti vetëm.
Në libër, në faqet e fundme shënon se “due me të nderue tue mbajt zi”. Ndryshe prej bashkëkohasve, që nuk para e njohin vajin e burrit të kësisojtë, ai e përcjell dhimbjen me fjalë, duke i latuar frazat, për t’ju dhënë gjithë ngjyrimet e ndiesive të veta.
Inxhinieri i urave e ruajti edhe për vete duke u fshehur pas një pseudonimi, por njikohshëm, duke dhënë përmasën e raporteve burrë-grua që dinë të tejkalojnë letërsinë për nga intensiteti e ndjenjat, për nga përkujdesjet e respekti. E, ai malësori që nuk qe thyer ndër shekuj, thyhet me 15 gusht 1941,në mijëra copa që nuk mblidhen më, e në mijëra fjalë që shpërfaqin tërë forcën që ai kishte bartur deri atë ditë.
Në vetëdijen e tij ajo mbeti gjithëhere e re dhe e bukur. Në shtratin e spitalit, kur sapo kishte mbyllur sytë përgjithnjë, Gjadrit ajo i dukej si në gjumë. Bukuroshja e tij e fjetur, nuk do të zgjohej kurrë më, duke lënë pas një zbrazti të tmerrshme që për Gjovalinin u kthye në honin e tij të dhembjes paskaj. Vetë ai, i thoshte në një prej letrave, ‘ti ban gjumin e nji bukuroshes së fjetun të trishtueshme. Asnji princ në botë nuk ka me të zgjue… mrekullitë e përrallave nuk ndodhin më: vetëm tragjikja e jetës shkon përtej çdo shëmbëlltyre të dhimbjes…”
79 vite më pas, zor se mund ta lexosh atë libër pa u përlotur, pse dhembja e pershkruar të prek deri më asht, nëse vdekja të ka marrë dikë të shtrenjtë dhe je ndjerë sadopak i mpirë prej humbjes.