Qeveria shqiptare nënshkroi sot marrëveshjen për grantin e rindërtimit me Caritas Albania, që do të financojë 152.7 milionë lekë.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë nënshkrimit të marrëveshjes tha se, projekti i Caritas Albania ndahet në dy programe.

“Programi i mbështetjes në cash për 334 familje të prekura nga tërmeti, të cilat do të përfitojnë katër transferta monetare nga 15 531 lekë secila. Në total ky program arrin në vlerën 20.7 milionë lekë. Programi i dytë është ai i ndërtimit për rikonstruksionin e lehtë për 30 njësi banimi, me vlerë 400 mijë lekë për shtëpi. Rikonstruksioni i dëmtimeve të rënda për 30 njësi banimi në vlerë maksimale 800 mijë lekë për shtëpi dhe rindërtimi i 40 njësive banimi me vlerë maksimale 2.4 milionë lekë për shtëpi. Programi do të gjejë zbatim në Lezhë, Kurbin dhe në Belsh, ku ndodhen shtëpi të dëmtuara nga tërmeti i shtatorit dhe më tej nga ai i nëntorit të vitit të shkuar”, – tha Ahmetaj.

“Bashkitë përfituese do të marrin përsipër të garantojnë dhe të vendosin në dispozicion të donatorit sheshet e ndërtimit, lejet, licencat dhe dokumentet e tjera të nevojshme për realizimin e projektit. Procesi i koordinimit ka ecur me ritme të shpejta, pas Konferencës së Donatorëve në Bruksel. Kemi arritur të nënshkruajmë 6 marrëveshje me donatorët, kemi finalizuar draftet edhe për katër marrëveshje të tjera”, – tha Ahmetaj.

Ministri njoftoi dhe për një kantier të ri ndërtimi. “Sot fillon puna në një tjetër kantier ndërtimi në Baldushk, ku do ndërtohen 50 shtëpi. Në farkë po avancon puna për ndërtimin e 48 banesave individuale. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka lidhur kontratën me ndërtuesit për 676 ndërtesa individuale në Kavajë e Shijak. Puna po ecën me ritme të shpejta në 32 kantiere shkollash, që do të jenë gati të presin nxënësit e fëmijët në nëntor të këtij viti. Brenda javës nis puna dhe në tre kantiere të tjerë për infrastrukturën publike, Shijak, Durrës, Vorë”, – tha Ahmetaj.

“Dje Këshilli i Ministrave i ka akorduar 140 milionë dollarë bashkisë së Tiranës për zonën e “5 Majit” dhe atë të “Kombinatit”, ky fond së bashku me fondin tjetër 16 miliardë lekë, që qeveria ia ka kaluar tri javë më parë FSHZH për rindërtimin e pallateve në 10 bashkitë e tjera jashtë bashkisë së Tiranës arrijnë në shifrën 300 milionë dollarë për ndërtimin e pallateve dhe njësive të tjera shoqëruese. Në javën e fundit të shtatorit, ose javën e parë të tetorit, do të kemi hedhur themelet e pallateve në të gjitha zonat e dëmtuara në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë, Krujë, Kurbin e kudo”, – nënvizoi Ahmetaj.

President i Caritas-it dhe Arqipeshkv Metropolit Shkodër, Atë Antonio Leuci u shpreh se “Caritas” ka qenë pranë vendit tonë në ditë të vështira.
“Duam t’i jemi afër popullit shqiptar në këtë moment të vështirë. Ashtu sikurse tha dhe ministri, Caritas ka dy faza, në dhjetor-janar, kur ndodhi tërmeti dhe faza e dytë, përfshirja në procesin e rindërtimit. Po ashtu Caritas ka qenë pranë vendit tuaj dhe gjatë pandemisë me ndihma materiale”, – tha ai.