Kryeministri Edi Rama inspektoi sot ujëmbledhësin e Tapizës, në Krujë, i cili për shkak të degradimit e rrëshqitjeve masive ishte kthyer në bombë me sahat, ndërsa tani është një burim i sigurt jetese për fermerët e zonës.

“Mbi 700 projekte të realizuara mbi Masterplanin Kombëtar të Ujitjes, kanë thuajse dyfishuar tokën e punueshme në Shqipëri, duke çuar ujë në plot sipërfaqe të mbetura djerrë nga thatësia e vazhdueshme dhe duke ndikuar në rritjen e ndjeshme të prodhimit bujqësor gjatë viteve të qeverisjes sonë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “në ujëmbledhësin e Tapizës nuk ishte vënë dorë qysh prej ndërtimit të tij në kohën e komunizmit, tanimë është kthyer nga një bombë me sahat për shkak të degradimit e të rrëshqitjeve masive, në një burim të sigurt jetese për fermerët e zonës”.

“Kjo ishte bombë me sahat. Po shikoja dje të dhënat për projektet e ujit në funksion të vaditjes dhe faktikisht jemi mbi 700 projekte vaditje që kanë krijuar një kapacitet ujëmbledhës dhe ujëshpërndarës me impakt për mijëra e mijëra ha tokë që deri dje nuk punoheshin dot për shkak të mungesës së ujit. Tani kanë ujë në mënyrë të vazhdueshme”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “me programin e vaditjes kemi një transformim të jashtëzakonshëm dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me impaktin që shohim në prodhim dhe eksport”.

“Këtu veç rrezikut të lart ishte i pamundur edhe racionalizimi i furnizimit. Në kohën e përmbytjes ishte hall i madh çfarë do ndodhi këtu. Këto ishin të lëna pa asnjë vëmendje, nuk kishte vënë dorë kush që në kohën e kooperativave dhe ishin bomba me sahat”, shtoi Kryeministri.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi u shpreh se “rezervuari i Tapizës është një nga veprat më të rëndësishme në sistemin e vaditjes, jo vetëm të zonës, sepse garanton vaditjen e rreth 2500 ha tokë”.

“Diga për shkak të amortizimit, pothuajse u shkatërrua fare dhe u detyruam ta zbraznim gjithë rezervuarin dhe ta përforconim. Përmbytja do të ishte katastrofike se shkon deri në Rinas. Kështu që mbi 200 milionë lekë nga buxheti i Ministrisë janë vendosur për ta bërë digën komplet të re”, tha Çuçi.

Ai theksoi se “kemi bërë një ndërhyrje me rëndësi jo vetëm për të garantuar vaditjen, por edhe për të garantuar mospërmbytjen nga rezervuari, pasi mbushja e liqenit ishte rrezik shumë i madh për të gjitha zonat e banimit”.

“Kjo ishte një nga digat më të rrezikuara, por tani është përforcuar shumë dhe mban kapacitet të plotë”, tha ministri.