Ditën e sotme ka dalë rezultati i testit të dytë të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ka qenë prej disa ditësh i infektuar me Covid-19. Tamponi i dytë i Veliajt ka rezultuar negativ, ashtu si ai i bashkëshortes Ajola Xoxa, ndaj kryebashkiaku vendosi ta ndajë me të gjithë eksperiencën e tij. Krahas një fotoje ku shfaqet me të birin në krahë, Veliaj rrëfen si e përballoi infektimin, i cili e ka rikthyer më të fortë e më të frymëzuar se kurrë.
Kryebashkiaku tregoi se e mori çështjen aq seriozisht sa duhet të merret dhe falenderoi këdo që i ka qëndruar pranë në këto ditë të vështira. Madje, ai është zotuar se do të bëjë çmos të ndihmojë familjet e personave që humbën jetën për shkak të virusit, për t’ia lehtësuar sadopak dhimbjen.
“Pas dy javesh izolim e trajtim mjekësor – në Tiranë, e askund tjetër – testi i fundit me nxorri të shëruar nga Covid-19 e më të fortë se kurrë për t’iu rikthyer punëve të shumta të Kryeqytetit tonë. ?? E kam zemrën plot mirënjohje për familjen time të vogël – Ajola, Kajan dhe nënat e papërtuara – e për familjen e madhe të mijëra prej jush, që më dhatë përditë kurajo e frymëzim për ta mundur këtë flamë. ❤️??
Do të kish qenë edhe më e vështirë pa këmbënguljen e Ogertës, Albanës, Eugenës e Almes nga ISHP të cilat më këshilluan ta merrja seriozisht që në fillim, pa përkushtimin 24h të Doktor Perlatit apo injeksionet pupël të infermiere Adelinës, si dhe insistimit ditor të shokut Gramoz për t’iu bindur profesionistëve heronj e jo gjithologëve mendjelehtë! ??
Gjatë këtyre dy javëve u miqësova me plot pacientë apo të shëruar të tjerë, njoha historitë e tyre e ndamë momente të kësaj lufte të përbashkët të njerëzimit. Ky komunitet, ku tani edhe unë duhet të bëj pjesën time, do duhet të jetë më aktiv për të ndërgjegjësuar të tjerët mbi seriozitetin e kësaj drame e nevojën për të bashkëpunuar me autoritetet çdo ditë! ??
Jam i brengosur për ata që s’ja dolën, më sëmbon zemrën kjo padrejtësi ku disa jetë këputen kaq beftas në mes! Vazhdoj lutem për familjet që lanë pas, e siç ua kam dëshmuar një pjese prej tyre, do angazhohem me gjithçka mundem për të lehtësuar sadopak dhimbjen e nevojat e tyre, sidomos të fëmijëve! ? Ndaj miq, le të duhemi më shumë, e urrehemi më pak. Të ndihmojmë më shumë, e të shajmë më pak. Të bashkohemi më shumë, e të përçahemi më pak! Nëse i bëjmë këto e bashkëpunojmë me bluzat e bardha, do ngrihemi më të pjekur e më të fortë si komb! Unë besoj! ??
Mirënjohje e dashuri pafund për secilin prej jush! ??❤️”- shkruan Veliaj në postim.