Nga Mero Baze/

Jozefina Topalli mund të ishte vënë në siklet. I kishte gjithë shanset të rrezikonte para demokratëve të Shkodrës, nëse Lulzim Basha do të pranonte propozimin e tyre, që ajo të përfshihej në kandidaturat e PD për depuetete në Shkodër.

Kjo do të ishte një provë e vështirë për Topallin, që të ndante qëndrimet e saj personale kundër Bashës për mënyrën si drejton PD, me të ardhmen e saj politike.

Por Basha ja ka bërë më të lehtë. Në momentin që ai kishte shanse të jepte realisht mesazhin e hapjes së PD në kohën që parlamenti ka hapur dhe listat e votimit për deputetë, ai ka dhënë mesazh të fort mbylljeje dhe tkurrje para cdo kritiku të vet, një ditë para se të vendos të zgjedh “Komisionin e Festës” së hapjes së PD.

Mesazhi ndaj Topallit në Shkodër në të vërtet e bën të panevojshëm këtë estradën e re të propozimeve nga baza dhe vlerësimit të Komisionit, por nga ana tjetër është një sinjal në kohën e duhur për gjithë kritikët e Bashës në Partinë Demokratike.

Sinjali është në kohën e duhur. Askush të mos shpresoj kot se Basha do të përfshijë kritikë të tij në listat për deputetë dhe tua lërë qytetarëve ti zgjedhin.

Populli tani ka lirinë të zgjedh, por Basha ka lirinë të përzgjedh.

Ai ka në dorë hartimin e listave, ndërsa popullit i është lënë në dorë renditja. Ndaj askush prej tyre nuk duhet të ketë iluzionin se mund të jetë i përzgjedhur i Bashës.

E mira e kësaj pune është se të gjithë ata individë të spikatur të PD që duan të jenë ende në politikë, pasi u është ndërprerë karriera prej Lulzim Bashës, janë në kohë të organizohen në një koalicion opozitar të djathtë, duke ndarë qartazi qarqet ku duhet të mbështesin njëri tjetrin dhe skemën e bashkimit të tyre.

E di që shumë prej tyre kanë probleme dhe me njëri tjetrin, apo vlerësime të ndryshme për veten dhe të tjerët. Por nëse duan të jenë në politikë, ata kanë vetëm një shans. Shansi është të përdorin hapjen e listave dhe të bashkojnë energjitë në 12 qarqe, për tu bërë faktor vendimtar në jetën politike të Shqipërisë si një pakicë e artë.

Nga Shkodra në Vlorë e nga Korca në Durrës, ata kanë shanse të bëjnë të kundërtën e Lulzim Bashës, të hapin garën dhe listat për këdo që do të votoj kundër Edi Ramës por që nuk dëshiron të votoj Lulzim Bashën dhe Ilir Metën. Koha për ta vendosur atë është tani. Ata mund të krijojnë secili subjekte politike dhe të bashkohen në një koalicion, ose të përdorin sigla partish të vogla për tu bashkuar në një koalicion si subjekt i vetëm elektoral. Kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është që zgjedhjet e reja duhet të përdoren prej tyre, si një ndëshkim për shkollën politike të PD, për kulturën e përjashtimit të saj dhe mbi të gjitha për ti dhënë një mesazh të qart, politikës së mos-hapjes së PD nga Lulzim Basha.

E vërteta e dhimbshme për të, është se ka gati gjashtë muaj që flet për për hapje dhe askush nuk ka trokitur në derën e PD, por dhe dikë që e propozuan demokratët, ja mbyllën derën.

Një bashkim pa komplekse me njëri tjetrin, bazuar vetëm në interesin politik, do ta bënte më të lehtë betejën, para një partie që më shumë është e shqetësuar të ruaj Lulzim Bashën në karrige, se sa të mund Edi Ramën. (Tema)