“Gazzetta dello Sport” shkruan sot se “babai i Messit tani ka në posedim një shtëpi me pamje nga… Interi. Agjentët komunalë, që së fundi e vizituan atë për të përfunduar procesin e shit-blerjes, kanë zbuluar vendbanimin milanez të menaxherit të yllit të Barcelonës. Një ngjarje, që po e mban gjallë ëndrrën botërore zikaltër, pasi dy javë më parë u zbulua se Jorge Messi bleu një pronë, përmes “Joe Colombo”, në zonën e Porta Nuova.
Skenari- Praktika në Bashkinë e Milanos kishte filluar më 6 qershor, në heshtje të madhe. Pas dy muajsh, megjithatë, konteksti ndryshoi rrënjësisht. Në Barcelonë janë të bindur se Messi nuk do të largohet kurrë nga qyteti i tij i “birësimit”, ndërsa në kampin zikaltër ka një aktivizëm që fshihet nga deklaratat e kujdesshme të CEO, Beppe Marotta. Kjo fasadë, në të vërtetë nuk mund t’i mbulojë thashethemet për punën që po bëhet “nën rrogoz”, posaçërisht në Kinë. Perandoria “Suning” po studion në thellësi termat ekonomikë të një operacioni, që do të pasonte atë që bëri Cristiano Ronaldo me Juventusin. Nga ky këndvështrim, menaxherët e familjes “Zhang” janë duke vlerësuar ndikimin ekonomik për sponsorët e interesuar (të cilët nuk mungojnë) në këtë aventurë të shtrenjtë, por tërheqëse.
Dialogu – Në këto situata, presidenti i klubit katalanas, Bartomeu, ishte i shpejtë për të deklaruar se Messi do ta përfundojë karrierën e tij në Barcelonë. Sidoqoftë, fakti që kampioni argjentinas nuk e ka shprehur ende mendimin e tij për këtë çështje, nuk duhet anashkaluar. Sigurisht, është e vështirë të mendosh se do të lëvizë në këtë sesion të merkatos, duke pasur parasysh që është i “çimentuar” nga një klauzolë 700 milionë euro. Por, ai mund të vendosë të largohet falas në qershorin e ardhshëm. Ndërkohë, babai dhe këshilltarët e tij së shpejti do të trajtojnë çështjen e taksave. Siç dihet, në Itali ka një tavan prej 100 mijë eurosh për taksimin e fitimeve të bëra jashtë vendit. Për më tepër, dekreti përkatës i qeverisë siguroi zbritje të ndjeshme në taksimin e pagave të atyre, që zbarkojnë për të investuar e punuar në Itali.