Kompania “Microsoft” njoftoi të mërkurën se telefoni i saj inteligjent me dy ekrane do të shitet për 1399 dollarë duke filluar nga 10 shtatori. Sipërfaqja e tij do të mbyllet si faqet e një libri. Ekranet janë të ndara nga njëra-tjetra, por të sinkronizuara për të punuar bashkë.
Në një konferencë për shtyp teksa njoftoi lajmin lidhur me “Surface Duo”, telefonin me ekran të dyfishtë drejtuesit e “Microsoft-it” e reklamuan telefonin si një mjet për të garantuar më shumë produktivitet, të ngjashëm me rastet kur kompanitë përdorin dy ekrane kompiuterash. Ata morën si shembull aplikacionin “Teams”, njëri nga ekranet mund të shërbejë për bisedën video ndërsa ekrani tjetër tregon mesazhet e shkruara.
Në aplikacionin e “Microsoft-it” që përdoret për emailet “Outlook”, telefoni inteligjent i krijon mundësinë përdoruesit të lexojë ose t’i përgjigjet emaileve.
“Nuk po përpiqem të rishpik telefonin“, u tha gazetarëve Panos Panay, shefi ekzekutiv i produkteve të “Microsoft-it”. “Por besoj se kjo është një mënyrë më e mirë për t’i bërë gjërat“.
Ekrani i dyfishtë u mundëson përdoruesve të lidhen me aplikacione që nuk janë të “Microsoft-it”, siç është Twitter dhe Instagrami. Telefoni nuk do të ketë lidhje me rrjetin 5G dhe do të shitet fillimisht vetëm në Shtetet e Bashkuara. Kompania “Microsoft” nuk dha ndonjë afat kohor se kur telefoni inteligjent me dy ekrane do të shitet edhe në vende të tjera.