Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përcaktuar një udhëzues mbi kujdesin dhe masat antiCovid në strukturat arsimore parauniversitare për vitin akademik 2020-2021. Sipas MSHMS, një nga dimensionet e rëndësishme për hapjen e suksesshme të shkollave mbetet mirëqenia dhe mbrojtja e fëmijëve nga infeksioni që sjell sëmundjen e COVID-19. Për këtë arsye MSHMS rekomandon kujdesin për nxënësin për hyrjen dhe daljen nga ambientet e shkollës, ku orari për hyrjen e nxënësve në shkollë rregullohet sipas një grafiku, hartuar nga drejtoria e shkollës dhe nën monitorimin e mësuesve të kujdestarisë ditore/javore.

Nxënësit paraqiten në shkollë duke respektuar me përpikmëri orarin e komunikuar nga mësuesi kujdestar i tyre. Nxënësit hyjnë në shkollë pasi janë vendosur në radhë një nga një, me largësi 2 metra. Nxënësi që ka simptoma të ngjashme apo temperaturë përpara ardhjes në shkollë, njofton mësuesin kujdestar, i cili, në bashkëpunim me mjekun e shkollës ose atë të familjes verifikon nëse nxënësi është i sëmurë apo jo.

Justifikimi i mungesës bëhet vetëm nga mjeku i familjes. Personi përgjegjës i stafit të shkollës, i caktuar nga drejtori, duhet të kryej vlerësimin për çdo nxënës si : matje të temperaturës me termometër dixhital, sprucim me alkool 60% ose dezinfektantë të tjerë në duar; duhet të kontrollohen të gjithë nxënësit që të jenë të pajisur me maskë me një përdorim ose mbrojtëse të fytyrës prej tekstili (maskë) të cilat duhet të lahen në 60 gradë dhe të hekurosen, si dhe shami letre për higjienën e hundëve. Sipas mundësive mund të vendosen vasketa/tapet/sfungjer me solucion dezinfektues me bazë të kloritaktiv, për dezinfektimin e pjesëve të poshtme të këpucëve për para hyrje në ambientet e brendshme të shkollës.

Nuk lejohet që nxënësit të dalin nga godina dhe të rikthehen përsëri në të, brenda ditës. Dera e shkollës do të qëndrojë e mbyllur, ndërsa dritaret e klasave ku zhvillohet procesi mësimor, do të qëndrojnë të hapura për të krijuar ajrosjen e nevojshme brenda tyre. Lejohet vetëm një hyrje dhe një dalje në ndërtesën e shkollës.
Dalja nga ambientet e shkollës do të bëhet sipas rregullave duke ruajtur distancimin social dhe fizik si me lart (jo më pak se 1.5 metra),nën mbikëqyrjen e mësuesve kujdestarë dhe të punonjësve të tjerë të shkollës. Drejtimi i vendosjes së fëmijëve vetëm në një kah apo një drejtim, njëri pas tjetrit. Nxënësit që nuk zbatojnë këtë rregullore, trajtohen me masë disiplinore nga Komisioni i Etikës dhe i Sjelljes.

Qëndrimi dhe mësimi në klasa

Gjatë procesit mësimor, mësuesi qëndron në klasë duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mësuesit e tjerë, në 2 metra. Brenda klasës, nxënësit qëndrojnë të ulur nga një nxënës në bankë, dhe bankat në të paktën 1.5 metra larg njëra-tjetrës. Në klasat ku kjo nuk është e mundur, nxënësit do të ndahen në klasa të tjera. Në se transporti i nxënësve kryet me mjetet të transportit të dedikuara ose publik, duhet të mbahet maska gjatë gjithë kohës së transportit (vajtje-ardhje) dhe këto mjete duhet t’i nënshtrohen rigorozisht udhëzuesit për transportin .

Nxënësve të ciklit të ulët 9 vjeçar u rekomandohet të mbajnë maskë gjatë orëve të mësimit. Nxënësit e ciklit të ulët 9 vjeçar duhet të mbajë maskë gjatë aktiviteteve jashtë orëve të mësimit në ambientet të shkollës. Nxënësit e ciklit të lartë 9 vjeçar dhe të mesëm duhet të mbajnë maskë në ambientet e brendshme dhe në të gjitha aktivitetet mësimore në ambientet e shkollës. Mësuesit sigurohen që në klasë të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato.

Nxënësit ndalohen të dalin nga klasa gjatë orëve të mësimit përveç rasteve kur i duhet të përdorin tualetet. Në këtë rast nxënësi duhet të shoqërohet. Kur është e mundur, praktikohet mësimi në ambient të hapur (oborr shkolle), duke respektuar largësinë dhe rregullat e mësipërme. Nuk lejohet ushqimi në klasë.

Lëvizjet në mjediset e brendshme të shkollës

Lëvizja e nxënësve në klasa, laboratorë, palestra dhe nëpër korridore duhet të jetë e përcaktuar në mënyrë që çdo zonë të ketë numrin më të vogël të individëve që lëvizin në të. Kjo do të thotë, p.sh., nxënësit e klasës I ª do të hyjnë vetëm në sallën e përcaktuar për nxënësit e kësaj klase, do të përdorin vetëm tualetin në korridorin ku ndodhet klasa e tyre, pa u takuar asnjë moment me nxënës të klasave të tjera.

Rregullat për lëvizjen e nxënësve duhet të jenë të afishuara në ambientet e klasave dhe në korridore. Nuk lejohen qëndrimet në korridore. Nxënësit të mbajnë largësinë minimale të paktën 1.5 metra nga njëri-tjetri kur lëvizin në korridore. Komunikimi, në rast nevoje, i nxënësit me drejtuesit, sekretarinë dhe stafin mësimor do të kryhet nëpërmjet mësuesit përgjegjës të katit, duke respektuar distancimin social e fizik dhe rregullat e tjera të përcaktuara me lart. Mund të jetë edhe nëpërmjet telefonit apo kompjuterik, kur nxënësi nuk ndodhet në klasë. Nuk do të përdoren sende personale të panevojshme për procesin mësimor.

Kujdesi për higjienën

Nxënësit të ndërgjegjësohen dhe të mbahen në komunikim të vazhdueshëm për rëndësinë që ka distancimi fizik dhe higjiena personale në ambientet brenda dhe jashtë shkollës, nëpërmjet mesazheve sensibilizuese të shpërndara nga ekipi mjekësor dhe shërbimi psiko-social i shkollës. Nxënësve duhet t’u flitet çdo ditë për rregullat e higjienës, larjen e duarve, mënyrën e kollitjes, teshtitjes dhe mbajtjen e maskës.

Çdo nxënës në shkollë duhet të lajë duart pas çdo veprimi që mund të përbëjë rrezik për përhapjen e virusit: prekja e hundës, syve, gojës, etj. Të minimizohet prekja e herë pas hershme e ma skës, të kihet kujdes që gjatë heqjes të kryhet nga pjesa e pasme e maskës si dhe larja e menjëherëshme e duarve apo përdorimi i dezinfektantëve në fund të këtij procesi. Duhet të sigurohen nga struktura arsimore: uji i rrjedhshëm, sapuni i lëngshëm, letra për fshirjen e duarve dhe xheli me përmbajtje alkooli 60%, në të gjithë ambientet e shkollës.

Gjatë qëndrimit në ambientet e shkollës, çdo individ duhet të mbajë detyrimisht maskë (sipas specifikimit të grupmoshave). Dritaret duhet të mbahen të hapura, ose të paktën klasat të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit. Klasat duhet të kenë aq nxënës sa lejojnë distancimin jo më pak se 1.5 metra nga njëri nxënës tek tjetri. Janë të ndaluara takimet dhe mbledhjet ballë për ballë në ambientet e shkollës. Nëse nxënësi manifeston gjendje stresi dhe ankthi, ai i drejtohet shërbimit psiko-social të shkollës nëpërmjet mësuesit kujdestar dhe “Këndit të psikologut” online pranë DRAP-së .

Në një klasë apo sallë laboratori të mos qëndrojnë më shumë nxënës se sa mund të qëndrojnë në atë mjedis duke respektuar distancimin social dhe fizik. Aktivitetet në ambientet e shkollës, sportive e artistike duhet të kryhen në grupe jo më shumë se 10 persona dhe duke ruajtur distancimin fizik. Të jenë të afishuara në të gjitha ambientet e shkollës postera mbi masat e parandalimit të infeksionit COVID-19 dhe postera me mesazhe të qarta dhe të thjeshta. Të vendosen postera të veçantë për mënyrën e larjes së duarve dhe mbajtjes së ma skës.

Në hyrje dhe dalje të ambienteve të shkollës, rekomandohet të vendoset një higjienizues për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive të alkoolit 60%, i cili duhet të jetë gjatë gjithë kohës i pranishëm. Të kryhet dezinfektimi i çdo klase, çdo ditë. Pas përfundimit të proçesit mësimor, të kryhet pastrimi i sipërfaqeve dhe orendive me lëndë dezinfektuese. Dezinfektim i mjediseve të brendshme dhe të jashtme të shkollës duhet të kryhet pas procesit mësimor 2 herë në javë

Do të pranohen në ambientet e shkollës vetëm nxënësit apo prindërit (në rastet e nxënësve të ciklit fillor) që do të firmosin rregulloren mbi parandalimin e përhapjes se COVID-19. Përpara se të rifillojnë mësimin në ambientet e shkollës sipas rregulloreve të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, nxënësit duhet të plotësojnë Formularin e Vetëdeklarimit për situatën e tyre shëndetësore dhe të familjarëve të tyre, e cila shërben për të hetuar paraprakisht mundësinë e një vatre infeksioni COVID-19. Nxënësit që nuk zbatojnë rregulloren, trajtohen me masë sipas rregullores së shkollës.

KUJDESI PËR MËSUESIN

Mësuesi paraqitet në shkollë në orën e përcaktuar nga drejtoria, përpara ardhjes së nxënësve. Mësuesit e kujdestarisë ditore/javore paraqiten në shkollë në orë orën e përcaktuar nga drejtoria e shkollës. Stafi mjekësor i shkollës (mjeku/infermierja e shkollës), ose personeli i shkollës i caktuar nga drejtori dhe i trajnuar për veprimet e mëposhtme, kryen për çdo nxënës procedurën si më poshtë:

Mat temperaturën me termometër digjital. Spërkat solucion dezinfektues me përmbajtje 70% alkooli në duart e nxënësve dhe të stafit. Kontrollon nëse çdo nxënës është i pajisur me maskë. Mësuesi mban gjatë orarit zyrtar maskën dhe solucione dezinfektuese.

Gjatë orës së mësimit, mësuesi qëndron në klasë duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit. Mësuesi i arsimit fillor largohet nga institucioni vetëm kur klasa e tij mbaron procesin mësimor. Mësuesi i AMU-së dhe AML-së largohet nga institucioni vetëm me miratim të drejtorit të shkollës.

KUJDESI PËR PERSONELIN NDIHMËS

Sanitaret

Personeli ndihmës paraqitet në institucionin arsimor në orën e përcaktuar nga drejtoria e shkollës. Sanitaret të mbajnë gjatë gjithë orarit të punës maskën dhe solucione dezinfektuese. Korridoret pastrohen çdo dy orë. Tualetet pastrohen e dezinfektohen çdo 30 minuta. Rezervuarëve të ujit që mund të ketë shkolla, u hidhet klor sipas udhëzimeve përkatëse çdo ditë . Dorezat e dyerve dhe dritareve të çdo klase dhe mjedisi pune si dhe parmakët e shkallëve dhe vende të tjera pastrohen dhe dezinfektohen sa më shpesh.

Largimi nga institucioni arsimor bëhet pas përfundimit të pastrimit dhe dezinfektimit të çdo mjedisi të tij. Kryen të gjitha detyrat duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mësuesit. Roja i institucionit/oficeri i sigurisë Paraqitja në institucionin arsimor bëhet në orën e përcaktuar nga drejtoria e shkollës. Roja/oficeri i sigurisë të mbajë gjatë gjithë orarit të punës maskën, dorezat dhe solucione dezinfektuese.

Roja nuk lejon prezencën e prindërve dhe çdo individi tjetër brenda në institucion (me përjashtim të nxënësve dhe personelit të deklaruar të institucionit arsimor). Çdo kërkesë për komunikim me drejtuesin e institucionit të bëhet nëpërmjet numrit të kontaktit të drejtorit ose të stafit drejtues. Kryen të gjitha detyrat duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mësuesit dhe sanitaret.

KUJDESI PËR PRINDIN

Nënshkruan ose konfirmon në rrugë elektronike tek mësuesi apo mësuesi kujdestar këtë rregullore. Plotëson formularin e vetëdeklarimit ditor me përgjegjësi për gjendjen shëndetësore të fëmijës në numrin e kontaktit të mësuesit kujdestar. Në rast nevoje për komunikim me mësuesin, drejtuesi përdor komunikimin elektronik dhe në rastet e planifikuara takimet ballë për ballë. Në rastet e shoqërimit të fëmijës/fëmijëve në shkollë, nuk futet brenda mjedisit të shkollës për çfarëdo arsyeje që mund të paraqesë.

KUJDESI PËR DREJTUESIT

Ngrenë grupe pune dhe hartojnë planet e veprimit për menaxhimin e situatës, garantimin e standardeve dhe respektimin e rregullave të përcaktuara më këtë rregullore. Monitorojnë pajisjen e nxënësve dhe të stafit me mjetet mbrojtëse, si: maskë, xhel dezinfektues për përdorim personal (sipas mundësive). Mbajnë kontakte, përmes komunikimit elektronik, me njësinë e vetëqeverisjes vendore, njësinë e mbrojtjes së fëmijëve, strukturat e Shëndetit Publik, Policinë e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese për ecurinë e procesit mësimor.

Për çdo fëmijë i cili paraqet probleme shëndetësore, si p.sh rritje të temperaturës etj., apo ka njoftim nga prindi, ka patur kontakt me dikë të prekur me COVID-19 si dhe nëse prindi përkatës është i sëmurë apo ka patur kontakte me COVID-19 lajmëron menjëherë Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) dhe strukturën përkatëse në këto njësi.

Për cdo mësues apo personel tjetër të shkollës i cili paraqet probleme shëndetësore si p.sh. rritje të temperaturës etj. apo ka njoftim se ka patur kontakt me dikë të prekur me COVID-19 lajmëron menjëherë Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) dhe strukturën përkatëse në këto njësi. Drejtuesit e strukturave arsimore duhet të ndjekin me rigorozitet protokollin e kontrollit të riskut të miratuar nga autoritetet shëndetësore.