Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizitoi sot familjen Tollja, e cila ka rindërtuar kullën e familjes, duke e kthyer në një destinacion turistik në Lurë. Ministrja vlerësoi iniciativën e familjes Tollja, që kanë kthyer këtë kullë në një bujtinë për të pritur turistët vendas e të huaj, duke e transformuar vendndodhjen e largët nga tregu bujqësor, në një vendmbërritje të tregut turistik.
Denaj theksoi se mbështetja e sipërmarrjes në këtë drejtim do të vazhdojë të rritet, dhe vlerat e traditës do të kthehen kësisoj gjithnjë e më shumë në vlera monetare për familjet që i përkushtohen agroturizmit. “Doja ta vizitoja pasi keni mbajtur një amanet dhe keni ruajtur një traditë për breza të tërë, por edhe për ne që vijmë nga zona të tjera të Shqipërisë, apo edhe për të huajt që vijnë në vendin tonë për të parë dhe atë që është tradicionale, si nga infrastruktura e jashtme dhe nga brenda, çka e ndihmon edhe biznesin të krijojë të ardhura”,- tha Denaj.
“Është një shembull i mirë për ata që jetojnë në qytete të tjera dhe ata që jetojnë jashtë vendit, se mundësitë i kanë që të bëjnë diçka që të mbetet dhe të përfitojnë të ardhura. Me infrastrukturën rrugore do vijnë edhe turistët, që do jenë burim i mirë frymëzimi dhe për të tjerët”,- tha Denaj. Ndërsa iu drejtua të zonjës së shtëpisë, ministrja Denaj tha se “gruaja është forca e një sipërmarrje dhe s’duhet të jetë kjo forcë të jetë vetëm në energji, por edhe në letra”.
“Unë përfaqësoj një nismë, projekt ndërkombëtar të mbështetur nga Banka Botërore, që kërkon rritje të përqindjes të grave të sipërmarrësve. Ne në parlament dhe në qeveri e kemi arritur, por duhet ta bëjmë këtë edhe në sipërmarrjet. Do ketë shumë skema në të ardhmen që ndihmojnë sipërmarrjet e drejtuara nga zonjat, prandaj ju inkurajoj në këtë drejtim”,- tha ministrja Denaj.