Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi sot një bisedë telefonike me përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH), Zsuzsanna Hargitai, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor dhe Matteo Colangeli, përfaqësues i BERZH-it për Shqipërinë, në lidhje me intensifikimin e bashkëpunimit në sektorë prioritarë të ekonomisë. Denaj informoi se, “diskutuam mbi rritjen e intensifikimit të bashkëpunimit në fushat e përbashkëta të interesit, veçanërisht gjatë pandemisë dhe në koordinimin e angazhimit të qeverisë dhe BERZH-it për zhvillimin e sektorëve prioritarë në vend”.
“Vlerësova mbështetjen e vazhdueshme të BERZH-it, duke e cilësuar atë një partner të rëndësishëm në ecurinë pozitive të reformave drejt një rritje ekonomike të qëndrueshme”- theksoi ministrja. BERZH ka nisur financimin e saj me anë të kredive në Shqipëri që në vitin 1992. Peshën më të madhe për financimin e projekteve e zënë investimet në sektorin e energjisë me 52.09% duke vijuar me sektorin e transportit me 40.86% dhe të tjera me 7.05%.