Mbulesa vaksinale për 6 muajt e parë të këtij viti është 97.8%. Dokumenti i vaksinimit i detyrueshëm për regjistrimin në institucionet arsimore. Ekspertë të Shëndetit publik u bëjnë thirrje prindërve për të ndjekur me rigorozitet programin e vaksinimit. Vaksinat e Kalendarit Kombëtar që sigurojnë mbrojtje për 12 sëmundje duhen plotësuar para regjistrimit në institucionet arsimore.
Specialistja e vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik Erida Nelaj, u ka bërë apel prindërve të kryejnë në kohë vaksinimin e fëmijëve dhe të mos e neglizhojnë atë.
“Sigurisht me fillimin e vitit të ri shkollor është shumë i rëndësishëm dokumentimi i vaksinimit. Pasi në të gjitha institucionet arsimore prindërit duhet të dergojnë një vërtetim I cili dëshmon kryerjen e kalendarit sipas dozave përkatëse dhe moshës përkatëse. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë dhe të mos mungojë asnjë vaksinë e kalendarit”, shprehet Erida Nelaj.
Pavarësisht situatës së vështirë të shkaktuar nga COVID-19, mbulimi vaksinal me 3 dozat e para për 6 muajt e parë të 2020 është 97.8% duke treguar për aksesin që ka çdo fëmijë për të kryer vaksinimin falas pavarësisht vendit ku banon apo gjendjes sociale dhe ekonomike. Vaksinimi ofrohet falas për të gjithë moshat 0-18 vjeç në çdo cep të vendit, me qëllimin për të patur një mbulesë vaksinale sa më të lartë.