Një udhëtim për ski, një dasmë, një praktikë kori: ajo që kanë të përbashkët këto ngjarje është se ato kanë të gjitha raste të superpërhapjes së koronavirusit. Kjo ndodh kur dikush e transmeton virusin te një numër i lartë njerëzish. Ndërsa nuk ka një përcaktim të dakordësuar gjerësisht për një ngjarje superpërhapëse, nganjëherë kjo merret si një incident në të cilin dikush i kalon virusin, gjashtë ose më shumë personave të tjerë, shkruan Bota.al. Të kuptuarit pse ndodhin këto grupime mund të jetë thelbësore për të marrë kontrollin e pandemisë së covid-19, si dhe ndalimin e një valë të dytë të rasteve.
Për muaj të tërë, kemi dëgjuar se numri R, ose numri i riprodhimit, është ajo më I nevojshmi për të matur përhapjen e covid-19. Ky është numri mesatar i njerëzve që çdo person i infektuar u transmeton virusin. Para izolimit në Mbretërinë e Bashkuar, numri R për koronavirusin vlerësohej diku midis 2 dhe 3.
Tani vlerësohet se ekziston një ndryshueshmëri e madhe në numrin e rasteve të reja, që krijon çdo person i infektuar. Kjo mund të përshkruhet nga “numri K” i epidemisë – parametri i shpërndarjes – ku një vlerë më e ulët e K, tregon më shumë ndryshueshmëri. Duhet të dish të dyja, R dhe K, për të patur një pamje të mirë se si virusi po përhapet përmes një komuniteti.
Sipas një analize mbi mënyrën se si covid-19 ishte përhapur në vendet e tjera nga Kina, deri në fund të shkurtit, numri K ishte 0.1, një vlerë jashtëzakonisht e ulët. Studiuesit vlerësuan se 80 përqind e rasteve ishin shkaktuar nga rreth 10 përqind e personave të infektuar. Këto 10 përqind mund të shkaktojnë një vatër infeksionesh, ndërsa shumica e të tjerëve nuk do t’ia kalonin koronavirus askujt tjetër, dhe disa do t’ia transmetonin vetëm një personi tjetër.
Me fjalë të tjera, superpërhapja është integrale për pandeminë, thotë Quentin Leclerc në Shkollën e Higjienës në Londër Në një shembull të studiuar mirë, në një praktikë kori me 61 të pranishëm në mars, në Qarkun Skagit, në shtetin Uashington, një person infektoi rreth 52 të tjerët. Mjekët ndoqën kontaktet e ngushta të çdo rasti sekondar, rreth tre ose katër secili dhe mundën të gjenin vetëm 10 infeksione të mëtejshme, thotë Lea Hamner, një zyrtare e shëndetit publik në Qarkun Skagit.
Eshtë sikur diçka cilësisht e ndryshme po ndodhte atë natë. Vatrat e transmetimit janë parë në sëmundje të tjera, përfshirë HIV, TB dhe tifon, ku një superpërhapës I famshëm ishte një kuzhiniere nga Nju Jorku, në fillim të shekullit të 20-të e cila u bë e famshme si Meri Tifoja. Në këto raste, dukej se kishte diçka biologjike që e bënte personin më të predispozuar të transmetonte një infeksion, ndoshta për shkak se kishte një numër të lartë patogjenësh.
Me koronavirusin, barra e virusit mund të luajë gjithashtu një rol, por kjo nuk është hetuar dhe ne nuk kemi një mënyrë të thjeshtë për ta bërë, thotë Benjamin Couling në Universitetin e Hong Kongut në Kinë. “Nëse matim ngarkesën virale në pështymë, kjo nuk është e njëjtë me sasinë e virus që nxjerrin jashtë me frymënxjerrjen. Do të duhej të bëhej një lloj marrje e mostrave të ajrit”.
Rrethanat e ngjarjes së përhapjes gjithashtu duket të jenë të rëndësishme, dhe disa raste të zakonshme janë shfaqur. Grupi i Couling realizoi gjurmimin e kontakteve të 1037 rasteve të para të koronavirusit në Hong Kong. Ekipi gjeti një vlerë disi më të madhe të K sesa vlerësimi i mëparshëm, prej 0.45, por kjo do të thotë që vetëm 20 përqind e individëve të infektuar kanë shkaktuar 80 përqind të rasteve në vend.
Transmetimet në masë
Ngjarjet superpërhapëse kanë tendencë të ndodhin në ambiente të mbyllura, me njerëz që rrijnë afër. Aktivitetet sociale shkaktuan më shumë vatra sesa ekspozimi në vendin e punës ose në shtëpi – transmetimet masive ndodhën në dasma, tempuj, bare dhe festa karaoke, për shembull.
Rreziku duket të jetë më i lartë nëse njerëzit ngrejnë zërin në një farë mënyre, si përshembull kur këndojnë apo bërtasin. “Ka të bëjë me vëllimin e ajrit që del nga mushkëritë tuaja”, thotë Couling. Të kuptuarit e superpërhapjes po bëhet edhe më e rëndësishme tani që rastet e koronavirusit janë në rënie në shumë vende, thotë Adam Kleczkovski në Universitetin e Strathclyde, në Mbretërinë e Bashkuar. Kur numrat e rasteve rriten në mënyrë eksponenciale, superpërhapja është ndoshta më pak e rëndësishme, thotë ai, pasi shumë vatra përhapen dhe bashkohen.
Por shmangia e grupimeve është thelbësore në fillim të një epidemie para se të rriten shumë numrat e rasteve, ose kur bien numrat e rasteve dhe duhet të shmanget një valë e dytë. “Kur keni shumë pak raste, janë këto aktivitete [superpërhapëse] për të cilat duhet të bëhet kujdes,” thotë Leclerc.
Si mund të zvogëlojmë shanset për ngjarje të mëtejshme superpërhapëse? “Parimet tona drejtuese tani janë: jashtë është më e sigurt se brenda, më pak njerëz është më e sigurt se shumë njerëz,” thotë Hamner. Ajo i sheh lokalet e mbyllura si një rrezik të veçantë.
“Dihet se një I dehur flet me ze më të lartë, sa më shumë që dehet”.
Vetëdijësimi I njerëzve për aktivitetet superpërhapëse mund të forcojë nevojën për shmangien e situatave të rrezikshme. Mund të ndihmojë gjithashtu për të kuptuar si të lehtësohen masat kufizuese, thotë Leclerc, ekipi i të cilës ka krijuar tashmë një bazë të dhënash për aktivitete superpërhapëse. Vetëm tetë nga 201 vatrat që identifikoi ekipi ndodhën në shkolla, të cilat në fillimet e pandemisë shiheshin si një burim infeksionesh.
Gjithashtu, pikasja e vatrave në kohë reale është kyçe për funksionimin e gjurmimit të kontakteve, thotë ajo./ Bota.al