Me natyrën e mrekullueshme dhe mikpritjen karakteristike, fshati 2400-vjeçar i Nivicës është një tjetër destinacion turistik për vizitorët vendas e të huaj.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka sugjeruar fshatin Nivicë si një atraksion turistik duke e krahasuar atë me një thesar të fshehur e të panjohur, të nënvlerësuar, por madhështor.
“Fshati Nivicë është vërtetë një thesar i fshehur, i panjohur e i nënvlerësuar, por madhështor. Në të ndodhet vetëm një bujtinë, e ndërtuar mbi kanionin e Nivicës, kanionit e maleve e ku mund të ndjeni zhurmën e ujëvarave. Një vend i përsosur për t’u zgjuar në mëngjes e për t’u frymëzuar”, shprehet Klosi.
Vizitorë kuriozë, aventurierë të lartësive, biologë, arkeologë e gazetarë ngjiten drejt Nivicës, për kuriozitet apo punë shkencore dhe ndeshen me një panoramë krejt tjetër, me një natyrë të padëmtuar e të mirëkujdesur.
Nivica ndodhet në rajonin e Kurveleshit, që është pjesë e vargmalit, Mali i Gribës, një prej më të lartëve në këtë rajon. Kufizohet me 9 fshatra të rrethit të Tepelenës dhe për nga sipërfaqja është rreth 105 km2, ose fshati mё i madh i kёsaj krahine