Nga ARTUR AJAZI

Duket se detyra e parë e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të emrave të rinj për kandidatë për deputet në Partinë Demokratike, mbetet realisht zgjatja e “lavdisë së Sali Berishës në parti”. Pothuajse në të gjitha intervistat e shpeshta që ish-ministri demokrat ka dhënë në medie të “caktuara” ditët e fundit, në çdo njërën prej tyre ka spikatur pyetja, por dhe përgjigja e menjëhershme se “Sali Berisha ka një lavdi që do ti shërbente për dy jetë atij, dhe jo për një, ai është emblema e gjallë e PD”. Sikur të mos ishte paracaktuar me “post” të veçantë për evidentimin e emrave të rinj, apo dhe seleksionimin e tyre sipas biografisë organike e politike, ish-ministri i qeverisjes së Doktorit, akoma pa nisur mirë puna në komision, ka nisur të aludojë mbi “fatin e Berishës”, duke deklaruar se “i takon atij të vendosë, do të jetë më pjesë e Parlamentit apo jo, emri dhe vepra e tij janë udhërrëfyese për ne, dhe të rinjtë”.

Me llogjikë, i bie të kuptojmë se, Komisioni Vlerësimit të emrave të rinj (me të kaluar të hershme) qenka ngritur enkas edhe për të përjetësuar lavdinë e Doktorit. Dhe mirë e bëjnë. Ndoshta është më e nevojshme, që PD e Lulzimit, të rikthehet de jure tek PD e Berishës, se sa të demokratizohet, të hapet, të europianizohet, dhe të çlirohet nga e kaluara e dhimbshme. Askush nuk do ta kishte menduar dhe besuar, se edhe pas kaq vitesh largimi nga posti i kryetarit të partisë,në PD-në e sotme, do të ngrihej një komision me xhaketat e vjetra, për të përjetësuar “lavdinë e Doktorit”. Truma e servilëve, e atyre që dikur kanë qenë ministra, zv/ministra dhe drejtorë të pushtetit të Doktorit, sot janë rikthyer në atë parti, me flamurin e berishizmit, duke besuar në budallallëkun e tyre se “PD do të fitojë zgjedhjet duke përjetësuar vetëm lavdinë e Berishës”. Mëndjeshkurtër e dritëshklurtër në ide dhe llogjikë, ata që deri dje e katandisën atë parti në repart ushtarak, sot janë rikthyer atje ( patjetër me urdhër)për të bërë ritualin e zakonshëm, atë që kanë bërë për 30 vjet rresht .

Ata janë të gatshëm ti ngrejnë edhe shtatore apo dhe bustin mes SHQUP-it Doktorit të tyre, vetëm e vetëm, që ai ti ketë ata në “qendër të vëmëndjes”. Por edhe pse ata nuk e dëshirojnë këtë realisht, duket se Doktori nuk i harron kollaj sejmenët e tij, ata me të cilët për kaq vjet, ka ndarë pushtetin dhe gjithçka vilej prej tij. Por edhe atyre, ai nuk u ka lënë gjë mangut, nga dosjet e mbushura me shkelje dhe abuzime , deri tek zhvatjet dhe skandalet e tjera. Ajo që Doktori u ka mbajtur dhe u mban si “çekiç” atyre mbi kokë, janë pikërisht e kaluara plot me tallaze, e cila i detyron ata ti binden akoma dhe sot, jo vetëm urdhërit, por edhe vullnetit të dëshirave të tij, për lavdi të përjetshme në PD. Ajo që u servir si “risi në PD”, dhe që u deklarua se “Komisioni Vlerësimit ishte zgjidhja më e mirë për seleksionimin e emrave të rinj për deputetë të ardhur nga baza”, nuk paska qenë gjë tjetër, veç ngritja e një strukture legale, që do të vulosë së pari “përjetësimin e lavdisë së Doktorit në PD”, dhe pastaj miratimin pa zhurmë të listës së vjetër, si detyrim statutor i ish-ministrave të tij.