Nga Mero Baze/

Besnik Mustafaj dhe mund ta kishte kursyer Berishën. Mund të bënte sikur nuk e dëgjoi deklaratën e Genc Rulit, se Berisha nuk është mirë të jetë më në listat e kandidatëve për deputetë. Ruli nuk ishte duke përjashtuar Berishën, por duke testuar nervat e tij për llogari të Bashës, dhe për të thyer një tabu mes demokratëve. Por me sa duket tallja nuk paska fund. Besnik Mustafaj doli sot dhe mbrojti Berishën, duke deklaruar se i takon të jetë deputet. Kjo e bën më të plotë talljen dhe më poshtërues autoritetin e Berishës në PD.

Lajmi kryesor tani është që në PD po debatohet nëse do jetë apo jo Berisha deputet.
Komisioni “Nishani” po ndahet. Njëri është pro, njëri kundër. Pastaj Bujari dihet pro. Marku ndoshta kundër. Dhe mund të ngelet fati i tij, tek ajo vajza që s’ia di njeri emrin, veç Pollos. Përfytyroni tani Sali Berishën, ulur në kolltuk, duke ndjekur deklarimet e Komisionit “Nishani” mbi të ardhmen e tij politike.

Njeriu që ka fshirë nga politika më shumë se gjysmën e personaliteteve të PD, që i ka ndërprerë karrierën kujt ka dashur, përfshi dhe dy anëtarëve të Komisionit që po debatojnë, dhe ka ngritur nga hiçi gjithë anonimët e PD, tani të diksutohet nëse do jetë apo jo deputet. Deri tek deklarimi i Rulit puna dukej serioze, se ngjante si testim i Bashës. Tani është kthyer në një estradë.

Dhe ky është një ndëshkim i paparashikuar prej tij. Jo se nuk do të jetë deputet, por se për herë të parë, për qënien e tij deputet, po diskutohet si për një njeri të mbetur pa punë, që dikush do t’i japë dorën e dikush do t’i jap pensionin, dikush thotë ka punuar më mirë se Salianji e Balliu, e dikush thotë na ka prishur punë. Halli i tij më i madh është se ai nuk mund të flasë tani për këtë çështje. Një deklaratë e tij e bën edhe më qesharake, edhe më poshtëruese, biles edhe më të besueshme në një farë mënyre, këtë debat të sajuar.

Duket se ai po i mban nervat dhe nuk do flasë. Por dikujt me siguri do t’i çojë fjalë për këtë poshtërim. Unë mezi po pres Lulzimin, të dalë një xhiro nga Hamallaj në Lalëz këto ditë, dhe të thotë: S’di kush e ka vënë në diskutim qënien e Berishës në listën e PD. Dhe nuk besoj se Komisioni do mërzitet që po i hyn në kompetenca.