Nga Alfred Peza/
Nuk kanë asnjë lidhje në asnjë pikëpamje me ata qindra e mijëra, që prej 30 vjetësh janë vetpunësuar dhe mbajnë familjet e tyre, përmes njërit prej modeleve më fisnike të tregëtisë lëvizëse të mallrave me pakicë. Por meqë i shohin më shpesh këto kohë, ndërsa janë duke pushuar buzë detit nëpër resorte turistike, opozitarëve tanë u ka pëlqyer aq shumë me sa duket modeli i tyre, sa ua kanë vjedhur. Duke e përshtatur për tu shitur shqiptarëve përmes tij, kudo ku ndodhen, çikërrimat e tyre politike! Tregtarët ambulantë, jo vetëm në Shqipëri po kudo në botë, kanë një veçori specifike që u përshtatet shumë opozitarëve tanë. U shërbejnë klientëve me gjithfarë llojë mallrash lehtësisht të transportueshme, të cilat ato besojnë me intiuitën e tyre se u duhen, kudo ku ata ndodhen. Ky model është ndryshe nga të gjitha llojet e tjera të tregëtisë së stacionuar nëpër dyqane, magazina a markete, e ku janë vetë klientët ata që shkojnë atje për të blerë mallrat që u nevoiten! Po pse u përshtatet kaq shumë ky lloj modeli, i shitjes së çikërrimave politike, opozitarëve tanë? Sepse nuk janë të stacionuar gjëkundi, prej afro dy vjetësh, në mënyrë që shqiptarët të shkojnë e të kërkojnë shërbimet që u nevojiten. As nëpër Njësitë Administrative, as nëpër Bashki, as në Parlament e askund tjetër ku një opozitë normale, e ushtron aktivitetin e vet politik në funksion të qytetarëve, anëtarëve dhe votuesve të vet.
Çfarë veçorie ka tregëtia ambulante? Nuk ështe e specializuar për një kategori të veçantë shërbimi, mallrash apo produktesh të cilat me kalimin e kohës, gjithkush e di se ku mund ti gjejë. Por janë shitësit vetë ato që shkojnë tek njerëzit, me atë lloj oferte nëpër duar apo karroca e tezgat e tyre shëtitëse, që ata besojnë se kanë edhe më shumë nevojë klientët e tyre potencialë! Ndaj opozitarët tanë i sheh prej dy vjetësh, qëshkurse kanë dalë në rrugë, të mos kenë asnjë plan konkret institucional. Asnjë projekt prespektiv në funksion të përsosjes së sistemit të vendit. Asnjë strategji afatgjatë. Asnjë kauzë të madhe qytetare. Asnjë alterenativë qeverisëse të ndryshme nga ato të qeverisjes aktuale lokale dhe qëndrore. Asnjë program të studiuar përmes alternativës së tyre politike dhe elektorale. Ndaj i shihni gjithmonë e më tepër, të gjithë opozitarët tanë pa një lider serioz mbi kokë. Pa një ide fikse që të jep besim afatgjatë. Pa një plan që të bën të shohësh veten dhe nevojat e tua, në të ardhmen. Por sheh vetëm individë të shpërndarë kuturu nëpër çdo hapësirë të mundshme virtuale e mediale, që vrapojnë kush e kush për hesapin e vet opozitar, për ti shitur çdo shqiptari të mundshëm që u del përpara, çikërrimat e veta politike që besojnë se u duhen në këtë moment.
Shitësit ambulantë në sezonin veror, pushtojnë plazhet duke u shitur pushuesve nga produktet për të shuar etjen, freskuar e larguar sadopak vapën, e deri tek çikërrimat për tu argëtuar e kotur poshtë çadrave e nëpër shezlongë, për të kaluar kohën në rërë, buzë vijës së ujit e brenda në det. Pasi mbaron sezoni, të njëjtët i sheh të nesërmen para mureve të shkollave, duke u shitur çikërrima nxënësve. Nëpër stadiume, tifozëve. Tek liqeni, fëmijëve. Më 14 shkurt, të dashuruarve. Më 7 mars, mësuesve. Më 8 mars, nënave! E kështu, në çdo ditë, javë, muaj e stinë të vitit. Edhe opozitarët tanë, i sheh të bëjnë të njëjtën gjë, duke kopjuar në mënyrën më të keqe tregtarët e mirë ambulantë. A ka radhë nëpër pikat e kalimit kufitar? A ka rënë ndonjë pikë shiu sot gjëkundi? Po zjarr në ndonjë pemë? A u bë ndonjë aksident në rrugë? A pat ndonjë lëkundje tërmeti? A mbeti ndonjë kosh me mollë pa u shitur? A po prishet ndonjë ndërtim pa leje? A po ndërtohet ndonjë vepër publike që ta pengojnë? A do arrestohet ndonjë kriminel? Hetohet ndonjë biznesmen? I pikon çatia ndokujt? A ka mbetur ndonjë arë pa punuar? Aty i ke edhe opozitarët tanë. Me statuse në rrjetet sociale. Konferenca shtypi. Deklarata. Intervista nëpër ekrane. I keni vënë re se si kanë filluar të sulen, se kush e kush tua shesë shqiptarëve si diçka politike, çdo gjë që u del përpara? E bëjnë edhe me zë të lartë madje publikisht, me shpresën se dikush do i dëgjojë, e do gënjehet për tua blerë çikërrimat e tyre të padobishme politike? Tregtarët ambulantë, janë heronjtë e këtij sistemi ekonomik, për plotësimin e nevojave bazike të shoqërisë. Por trishtim i madh për opozitën e vendit tënd, ta shohësh të endet jashtë sistemit politik, duke mos përmbushur nevojat bazike të demokracisë!