Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa administrative në Bulqizë dhe Berat pasi organizuan festa dhe dasmë në kundërshtim me Aktin Normativ.

Policia e Shtetit ka njoftuar se “shërbimet e Komisariatit Bulqizë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte dhe në çdo ambient tjetër, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar shtetasin B. Gj., i cili kishe organizuar dasmë në oborrin e banesës së tij, me një numër të madh personash në shkelje flagrante të protokolleve të sigurisë të përcaktuara në Aktin Normativ, duke u kthyer në burim rreziku për infektim dhe përhapje të COVID-19. Për shtetasin B.Gj., Policia e Bulqizës ka vendosur masë administrative 1.000.000 lekë”.

Po ashtu, policia e Beratit ka ndëshkuar me nga 1.000.000 lekë gjobë, pronarët e dy restoranteve, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në rrugën Berat-Uznovë, dy restorante në të cilët ushtrohej aktivitet, duke mos respektuar protokollet e sigurisë. Për subjektet në fjalë shërbimet e Policisë u kanë vendosur administratorëve V.S dhe E.A masë administrative 1.000.000 lekë secilit”, njoftohet zyrtarisht.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.