Nga Laura Lila/

Zgjodha të shkruaj për Bet’hoven sepse, më së pari, ky emër më ka shoqëruar nga klasa e parë dhe deri tani. Si të ishte njeri i familjes sime, ka qenë i pranishëm në çdo hap të hedhur nga unë në rrugëtimin e gjatë e të mundshëm të artit. Veçse nga lartësia e viteve ka një ndryshim thelbësor: sot arrij ta kuptoj, pse Beethoven ka qenë e mbetet një fanar për cdo muzikant dhe artist, edhe pse nga lindja e tij ka kaluar një çerek mijëvjeçari. Kur luaj një vepër të tij, ndiej peshën historike e emocionale, energjinë universale të këtij kompozitori gjigant. Në kujtimet personale, të botuara nga miku i tij F. Schiller, Beethoven thotë: “Nuk duhet thjesht të praktikojmë artin; duhet të kërkojmë rrugën drejt sekreteve të tij”. Pikërisht kjo është arsyeja, pse në këtë 250 vjetor të këtij kolosi të muzikës klasike, vendosa të luaj një nga veprat më të vështira të tij. Më punën kërkimore, punë për diplomimin dhe mbylljen e një cikili të rëndësishëm arsimor, jam përpjekur të shpjegoj në mënyrë sa më shteruese, pse kjo vepër është aq interesante. Por, do dëshiroja të shtoja se, në këtë përvjetor, Beethoven më ka kthyer edhe njëherë në atë periudhë lulëzimi të muzikës klasike. Edhe mbas një mali vitesh, muzika e tij vazhdon dhe luhet, nëpër programe shkollore, koncerte etj, pa rënë asnjë fije nga madhështia e vet.

Sot, ne mund të shprehim veç mirënjohje ndaj këtij gjeniu, vecanërisht për sonatat e tij, të cilat shënojnë një përparim në kufinjtë e përsosmërisë të formës muzikore më të interpretuar të repertorit pianistik. Si pianiste dhe një performuese e këtyre veprave, ndiej detyrimin të them faleminderit për të gjitha ato melodi të mrekullueshme që ka lënë si trashëgimi të vyer. Pas gjithë kësaj kohe, Beethoven vazhdon të ketë ndikimin e tij të fuqishëm në muzikën klasike. Por pyetja që unë shtroj është: si ka arritur kjo muzikë të çajë nëpërmjet shekujve? Si ka ndikuar ajo në formimin e shoqërisë, por dhe të popujve të ndryshëm? Kjo ‘’rrugë drejt sekreteve të artit’’, është fanari të cilin i kam vënë vetes detyrë të ndjek, për të vazhduar më tej kërkimin tim.