Fillimisht pasiguria e tregjeve për shkak të Brexit dhe më pas pandemia e koronavirusit të ri kanë zhytur zyrtarisht në recesion ekonominë e Britanisë së Madhe, që në tremujorin e dytë të këtij viti pesoi tkurrjen më të madhe. Sipas shifrave të publikuara nga autoritetet vendase, ekonomia britanike ra me 20.4 për qind në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti. Sektorët më të goditur janë konsumi, nisur nga fakti që dyqanet u mbyllën dhe pas tij prodhimi dhe sektori i ndërtimit.

Kjo rënie e zhyti ekonominë e dytë më të madhe në Europë në recesion, që nuk ndodhte prej 11 vitesh. Zyra Kombëtare e Statistikave tha se qershori, kur Qeveria nisi lehtësimin e masave shtrënguese, dha sinjale pozitive, por të pamjaftueshme për të mbajtur në kuota pozitive ekonominë vendase.

“Megjithatë, prodhimi i brendshëm bruto për qershorin ishte poshtë nivelit të muajit shkurt, para se vendi të goditej nga virusi”, deklaroi Jonathan Athow, nga Zyra Kombëtare e Statistikave në Britaninë e Madhe. Autoritetet fajësojnë për rënien galopante mbylljen e dyqaneve, bareve, hoteleve, restoranteve, shkollave dhe serviseve të makinave. Goditje të fortë pësoi edhe turizimi, ndërsa industria e prodhimit të automjeteve regjistroi aktivitetin më të ulët që prej vitit 1954.

Megjithëse të dhënat e muajit qershor shikohen si optimiste, autoritetet druhen se më e keqja nuk ka mbërritur ende. Sipas tyre, rënia e fortë e ekonomisë do të pasohet në muajt në vazhdim me efektet zinxhir, përfshirë këtu edhe një rritje të fortë të papunësisë. “Qindra-mijëra qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës dhe fatkeqësisht në muajt në vazhdim shumë të tjerë do të kenë të njëjtin fat. Përpara na presin vendime të vështira për të tejkaluar këtë situatë”, deklaroi Rishi Sunak, Kancelari i Thesarit britanik.