“Asgjë nuk arrihet pa frymën e skuadrës, pa përpjekjet e përbashkëta për të realizuar ëndrra e suksese”, tha sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke iu referuar marrëveshjes për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë.
Balluku vlerësoi veçanërisht skuadrën e profesionistëve që u angazhua në këtë projekt të rëndësishëm.
“Asgjë nuk arrihet pa frymën e skuadrës, pa përpjekjet e përbashkëta për të realizuar ëndrra e suksese. E nderuar që drejtoj një skuadër profesionistësh të dedikuar, të cilët ashtu si dhe CEO i ‘Voltalia’ cilësoi në fjalën e tij, janë skuadra që solli suksesin në marrëveshjen e rëndësishme për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë, mbi 100 milionë uuro investim francez në Shqipëri”, tha ajo.
Me 27 maj qeveria shqiptare përmbylli ankandin ndërkombëtar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, i cili do të jetë parku energjetik më i madh me energji solare në Ballkan.
Çmimi prej 24,89 euro, për MWh, i ofruar nga kompania franceze “Voltalia” është konsideruar si një çmim fantastik, për leverdinë ekonomike që i sjell ekonomisë së vendit, nisur nga fakti se energjia elektrike me shumicë në Shqipëri llogaritet të jetë në nivelin 50-55 euro për MWh.
Ndërtimi i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë është një hap shumë i rëndësishëm, në drejtim të diversifikimit të burimeve të energjisë, përmes krijimit të burimeve alternative të prodhimit të energjisë, që në këtë rast është energjia solare.