Çdo pasagjer që udhëton drejt Italisë duhet të jetë i pajisur vetëm me maskë kirurgjikale, ndërsa formularët e vetëdeklarimit duhet të printohen dhe të plotësohen paraprakisht.

Kështu bëri të ditur sot Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, i cili ka përcjellë dy kërkesa të Agjencisë Kombëtare të Aviacionit Civil Italian për pasagjerët që udhëtojnë nga Shqipëria, me qëllim që procesi i kalimit të udhëtarëve nëpër aeroporte të lehtësohet.

“Çdo pasagjer që udhëton drejt Italisë duhet të jetë i pajisur vetëm me maskë kirurgjikale. Pasagjerët që përdorin lloje të tjera të maskave, mund të mos lejohen të hipin ne bordin e avionit”, – thekson TIA.

Ndërsa kërkesa tjetër është që formularët e vetëdeklarimit duhet të printohen dhe të plotësohen paraprakisht.

“Njëra kopje duhet të dorëzohet në momentin e check-in (te pranimit të biletës) dhe kopja tjetër duhet të dorëzohet tek autoritetet lokale italiane në destinacionin e mbërritjes. Plotësimi i formularit para udhëtimit ndihmon në minimizimin e qëndrimit për një kohë të gjatë në radhë gjatë procesit të kontrollit”, – nënvizon TIA.

Sipas TIA-s, udhëtimet mbeten ende të kufizuara.