Ende pa u tharë boja e udhëzimit të kryesisë së Partisë Demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, Jozefina Topalli një nga ish-figurat qendrore të Partisë Demokratike do të lëshonte një tabor kritikash ndaj Lulzim Bashës në faqen e saj Facebook.
Qëndrime që janë reflektuar ndjeshëm edhe në votën që strukturat e Shkodrës i kanë besuar asaj. Partia Demokratike përmbylli vetëm një ditë më parë fazën numër një të votimit të kandidaturave nga baza ku secili anëtar kishte të drejtën të propozonte vetëm një kandidat.
Burime nga PD-ja thanë për gazetën “Si” se Topalli është propozuar nga çdo grupseksion i Shkodrës porse popullariteti për të nuk ka qenë si vitet e mëparshme. Për shembull në qarkun e Shkodrës më shumë mbështetje ka marrë Xhemal Bushati, apo Irma Kopliku, emra fare të panjohur për publikun e gjerë, por për Shkodrën, ose të paktën për strukturat lokale të PD-së po.
Në masë nga strukturat e PD-së është votuar edhe kryetarja aktuale e Bashkisë, Voltana Ademi, thanë burimet zyrtare. Fenomeni i mos votimit në një numër të konsiderueshëm votash të ish-drejtuesve kryesorë të PD-së në kohën e Sali Berishës është vënë re edhe në disa qarqe të tjera të vendit.
Nuk figurojnë në numër të dallueshëm as Astrit Patozi, apo Ridvan Bode. Sot ata janë qartazi të shkëputur nga PD-ja zyrtare e Lulzim Bashës. Të gjithë janë propozuar (nga ish-ministra e deputetë) por asnjë prej tyre nuk ka dalluar në votë mbështetëse, thanë burimet. Diku më shumë ka marrë vota ndonjë ish-ministër apo ish-drejtor që vijon të punojë me Lulzim Bashën, të deleguar paralelisht edhe nëpër qarqe për të mbikëqyrur procesin, siç është rasti i Flamur Nokës në Kukës, e ish-drejtorit të UKT-së, Sait Dollapi.
Është votuar edhe Bujar Leskaj ish-Drejtor i KLSH-së, kryesish në Vlorë. Megjithatë, ata (përfshi edhe emri i Jozefina Topallit) janë pjesë e listës së 2000 kandidaturave që janë depozituar në PD ku pritet të kalojnë në fazën e dytë dhe më të rëndësishme atë të seleksionimit.
Pra, të gjithë janë të propozuar, (dikush më shumë e dikush më pak) por kandidatë për deputetë do të dalin vetëm pas tre fazave të tjera në PD.
“Partia voton partinë” Procesit të parë të votimit do t’i shkonte fiks shprehja “partia voton partinë”. Sepse shumica e anëtarëve në grupseksione kanë votuar për njeri tjetrin, për figurat partiake lokale dhe janë shumë pak 2- 5% e listës së përgjithshme figura të propozuara jashtë saj.
Pse ndodh kjo? Për arsyen e thjeshtë se të gjithë duan një pozicion pune në rast se PD-ja vjen në pushtet. Kandidaturat pas seleksionimit do të kalojnë sërish në bazë për votim, shumë prej tyre do të skualifikohen më herët por ajo që është e sigurt, referuar burimeve të PD-së, është se të gjitha ata janë emra potencial për pozicione pune në nivel lokal apo qendror, në rast se PD-ja vjen në pushtet.
“Partia për partinë” mbizotëroi listën ndaj dhe jo më kot në udhëzimin e PD-së është parashikuar apriori që 20% listës së kandidatëve të ardhshëm për deputet do të përzgjidhen nga kryesia e PD-së, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile, përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve, diasporës, sipërmarrjes, personalitete politike me kontribut të gjatë në parti…etj.
Përplasja tek komisioni i vlerësimit. Partia Demokratike ka hyrë në fazën e dytë, atë të seleksionimit të kandidatëve. “Krasitja” e emrave do të bëhet nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, me 5 anëtarë dhe 2 ndihmës, që pritet të votohen nesër nga kryesia dhe Këshilli Kombëtar.
Peshën kryesore të këtij komisioni do ta mbajnë Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj që për ironinë e fatit i përkasin epokës së Berishës por që do të seleksionojnë kandidaturat krejtësisht partiake me dominancë emrash të kohës së Lulzim Bashës. Për shembull Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj do të kalojnë në sitë emrin e Ervin Salianjit i votuar në çdo grupseksion të Korçës por edhe në disa grupseksione të Vlorës. Me Mustafajin më pak, por me Genc Rulin, Salianji është rreshtuar në llogore televizive dikur, njëri si figurë e ngritur nga Lulzim Basha që nuk i përkiste pushtetit të Sali Berishës dhe tjetri një njeri i “regjur” politikisht pjesë e asaj epoke të anatemuar.
Në këtë përplasje opinionesh, hyjnë në lojë pastaj kriteret jo publike për mediat, (por që gazeta “Si” disponon një kopje) sipas së cilës gjatë fazës së seleksionimit duhet të kihen në vëmendje kritere që lidhen me aktivizimin në jetën politike dhe publike të vendit, të ketë qenë mbrojtës në vazhdimësi i interesave vlerave dhe programit të PD-së, kontributit politik në parti, apo angazhimit në fushata elektorale.
Në këtë diskutim kriteresh Salianji merr pikë, ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shembull për Gjin Gjonin që vjen direkt nga sistemi i drejtësisë pa kontribut partiak.
Salianji dhe Gjoni janë shembulli i dy anëve të medaljes për të treguar se faza e seleksionimit (nëse do të jetë reale) nuk do të jetë aq e lehtë sa do të shpërfaqet në media…
Seleksionimi Komisioni do të bëjë vlerësimin e secilit kandidat, dhe në përfundim të procesit do të hartojë dy lista: Lista e kandidatëve që do t’i nënshtrohen procesit të konsultimit me anëtarët sipas parimit “një anëtar, një votë” dhe lista e kandidatëve që u shtyhet aprovimi. Edhe ky një proces me kleçka sa kohe që në një ditë të shpallur paraprakisht për votim, çdo anëtar do të ketë të drejtën që të shprehë kontestimin e tij (“votë kontestuese”) për një ose më shumë kandidatë nga lista.
Numri i lejuar i kandidatëve që mund të kontestohen, do të jetë jo më shumë se 20 % e numrit total të listës së kandidatëve, për secilën degë apo qark.
Hendeku mes probagandës mediatike dhe bazës Një grup burrash të grupseksionit të Vajinit në Lezhë u mblodhën një ditë dhe krejt papritur (krahas emrave të tjerë) propozuan edhe emrin e Gjin Gjonit gjyqtarit të dorëhequr nga Gjykata e Apelit Tiranë, vetëm pak kohë para se ai t’i nënshtrohej vettingut.
Për Gjin Gjonin pati reagime të menjëhershme ndërkombëtare ndaj dhe selia blu nxitoi të jepte një reagim për emrin e tij, edhe pse nuk e përmendi nominalisht.
“PD konfirmon se në metodologjinë e hartuar të seleksionimit të kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, është përcaktuar qartë si kriter përjashtues, që nuk mund të kandidohet nga PD ‘asnjë individ i cili është larguar nga detyra për shkak të vettingut apo që ka dhënë dorëheqjen nga funksioni në drejtësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të vettingut.” Gjin Gjoni është e vërtetë që është propozuar nga një grupseksion në Lezhë dhe në dy grupseksione në Tiranë porse burimet nga PD-ja thanë se emri i tij është i papërfillshëm referuar emrave të tjerë kandidatë.
Se sa do t’i referohet PD-ja këtij fakti dhe asaj metodologjie të bërë publike (por që në letër nuk ka gjë të tillë) duhet të presim fazën e dytë; atë të seleksionimit.
Është propozuar gjithashtu edhe analisti Agron Gjekmarkaj, por jo në masën e supozuar ashtu si edhe Mark Marku.
Ndryshe ka ndodhur me Grida Dumën e cila mësohet se është propozuar gjerësish nga grupseksionet në Tiranë.
Vota të konsiderueshme mësohet të ketë marrë edhe Tomor Alizoti.