Bashkia Dibër vazhdon punën për përgatitjen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve për nisjen e vitit të ri shkollor me ambiente sa më të përshtatshme, konform masave anticovid, për nxënësit dhe stafin pedagogjik. Kryetari i bashkisë Dionis Imeraj tha sot se së shpejti shkollat do të hapen për të mirëpritur nxënësit në një realitet të ri mësimor.
“Situata e krijuar nga pandemia Covid-19 na obligon që siguria dhe ruajtja e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve në këtë vit shkollor të jetë primare”, tha ai. Po ashtu, Imeraj shton se “prej javësh Drejtoria e Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Dibër po punon me dy grupe për lyerjen, dezinfektimin, pastrimin, meremetimin dhe përgatitjen e çerdheve, kopështeve e shkollave për vitin e ri shkollor me ambiente sa më të përshtatshme, konform masave anticovid, për nxënësit dhe stafin pedagogjik”. Aktualisht, ky proces ka përfunduar në institucionet arsimore në qytet, dhe në mbi 50% të shkollave në njësitë e tjera, ndërkohë vijon intensivisht puna sipas planit në shkollat e mbetura.