Gerard Pique mund të ketë një “mjekër të lezetshme”, por mbrojtësi i Barcelonës është ende “mesatar”, sipas ish-mbrojtësit të Real Madridit, Oscar Ruggeri. Ky i fundit kurorëzon Sergio Ramos si qendërmbrojtësin më të mirë në planet. Pique u largua nga atdheu i tij dhe u lidh me Manchester United në vitin 2004. Pas 4 vitesh në Angli, iu rikthye rrënjëve të tij. Pas kthimit te Barça, 33-vjeçari ka fituar disa herë La Liga-n dhe Champions-in, ndërsa ka bërë të vetët edhe Kampionatin Europian dhe Kupën e Botës (me Spanjën).
Ai është i martuar me këngëtaren kolumbiane, Shakira, ndërsa kuotohet si president i mundshëm i Barcelonës në të ardhmen. Sidoqoftë, për Ruggeri, Pique është thjesht një lojtar mesatar. Argjentinasi pretendon se mbrojtësi me përvojë do të ishte venitur si mbrojtës, nëse do të kishte luajtur në ndonjë klub tjetër. Fituesi i Kupës së Botës 1986, i cili kaloi sezonin 1989-1990 te Real Madridi, tha për “FOX Sports” në Argjentinë:
“Pique është një lojtar i shkallës së dytë, si unë, si shumë të tjerë. Ai ka një famë të mirë, ndoshta edhe prej gruas këngëtare. Ka një mjekër të lezetshme, por nëse do të luante për Valencia, nuk do të njihej aq. Pique përfiton nga fakti se luan te Barcelona. Ai është si unë, futbollist mesatar. Një mbrojtës i mirë, por jo shumë më tepër. Sergio Ramos është qendërmbrojtësi më i mirë në botë, deri tani”.
Ruggeri duket i gatshëm ta vendosë Pique në këtë kategori dytësore, edhe pse ka luajtur 541 ndeshje për Barcelonën dhe e ka ndihmuar atë të fitojë 29 trofe gjatë 12 viteve në Katalonjë. Ramos, ndërkohë, ka fituar 22 trofe gjatë 15 viteve të tij me Real Madridin, ku ka luajtur 650 ndeshje.