Gjatë muajit korrik tragetet linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona e kthim, përveç udhëtarëve kanë transportuar afro 76 mijë ton mallra të ndryshme, duke shënuar një tjetër rritje graduale krahasuar me të dhënat mujore paraardhëse.
Sipas një njoftimi nga Autoriteti Portual Durrës, brenda një muaji, nga tragetet që janë akostuar në portin e Durrësit janë përpunuar 6,218 kamionë dhe 488 trailerë me mallra gjithsej.
Tragetet që mbërritën në Durrës në korrik kanë sjellë 50,427 ton mallra të ndryshme, ndërsa drejt Barit dhe Ankonës janë nisur 25,538 ton mallra eksporti. Gjatë muajit korrik tragetet kanë kryer 88 lundrime vajtje – ardhje nga Durrësi në drejtim të porteve italiane.