Ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve mes Leipzig dhe PSG do të luhet sonte, prej orës 21:00. Si të gjitha 8 sfidat e fundit të këtij kompeticioni, ajo do zhvillohet në Lisbonë, në stadiumin “Da Luz”. Champions-i, pra, futet në fazën vendimtare të këtij edicioni. Dy nga katër skuadrat që janë ende të lojë do të sigurojnë finalen e madhe. Ndeshja mes Leipzig dhe PSG do të zbulojë finalistin e parë. PSG vjen në këtë duel pasi mposhti “in extremis” Atalantën në çerekfinale. Në anën tjetër, Leipzig është surpriza e vërtetë e kësaj faze përfundimtare të Champions-it. Skuadra e Julian Nagelsmann mposhti Atletico Madrid në çerekfinale, më parë kishte likuiduar edhe Tottenham e Mourinhos. Një rrugëtim i bujshëm, që mëton edhe finalen.
Ndër të tjera, dy trajnerë gjermanë do të përballen sonte; Julian Nagelsmann në krye të Leipzig dhe Thomas Tuchel në krye të PSG. I dyti ka qenë trajner i të parit, në kohën e Augsburg. Po si pritet ta startojnë lojën të dyja skuadrat? Gjithmonë, Nagelsmann është i paparashikueshëm me formacionet e tij. Pak dyshime në mbrojtje, me Klostermann, Upamecano dhe Halstenberg. Të njëjtët futbollistë që mposhtën Atletico Madrid mund të zbresin në fushë, me Sabitzer dhe Kampl në mesfushë, me Poulsen si sulmuesi i vetëm, i mbështetur nga Dani Olmo dhe Nkunku. Të dy, Schick dhe Forsberg do ta nisin nga stoli. Tuchel rikuperon nga pezullimi Di Maria, ndoshta aktivizon edhe Mbappé nga minuta e parë, pasi ylli francez luajti kundër Atalantës. Navas është i dëmtuar, ndaj Sergio Rico do të jetë në portë. Gueye duhet të rikuperohet në mesfushë. Parizienët mund të rreshtohen me një formacion jashtëzakonisht ofensiv, që përfshin edhe Icardi në fushë nga minuta e parë.
Formacionet e mundshme: Leipzig (3-4-2-1): Gulacsi; Klostermann, Upamecano, Halstenberg; Laimer, Sabitzer, Kampl, Angelino; Nunku, Dani Olmo; Poulsen. PSG (4-3-3): Sergio Rico; Kehrer, Thiago Silva, Kimpembe, Bernat; Di Maria, Marquinhos, Gueye; Mbappé, Icardi, Neymar.