Kabineti i kryeministrit Giuseppe Conte miratoi një paketë stimuluese në shumën e 25 miliardë eurove për t’i dhënë frymë ekonomisë së dëmtuar nga kriza e koronavirusit. Plani, i cili duhet të miratohet nga parlamenti, lejon përfitime më të mëdha tatimore për rajonet jugore të Italisë – dhe bën thirrje që linjat e lundrimit të rifillojnë punën nga 15 gushti dhe panairet tregtare të zhvillohen nga shtatori. Gjithashtu qeveria italiane zgjeroi periudhën e pagesave mujore për familjet në nevojë duke nisur nga 400 deri në 800 euro si dhe një shumë prej 500 milionë eurosh për pagesat e punonjësve të shëndetësisë.
“Ne po mbrojmë vendet e punës, po mbështetin punonjësit dhe reduktojmë barrën e taksave duke ndihmuar të gjithë rajonet italiane të goditura nga koronavirusi”, u shpreh kryeministri Conte përpara gazetareve. Ai gjithashtu tha se distancimi social dhe maskat në fytyrë do të ishin të detyrueshme deri më 7 shtator, duke shtuar:”Këto janë rregullat minimale” që duhen respektuar nga të gjithë. Dekreti synon të mbështesë punëtorët, bizneset dhe institucionet vendore në përgjithësi”.
“Të dhënat e fundit nga ISTAT (Instituti Kombëtar i Statistikave) treguan se konsumi ka rifilluar pjesërisht tashmë në qershor, dhe kjo ishte e mundur edhe falë masave të mëparshme”. Mes dispozitave të tjera, paketa përfshinte fonde shtesë për shkollat publike që rihapen në shtator nën rregullat e sigurisë anti-COVID dhe rishikimin e pagesave të kontributeve fiskale dhe sociale për punëtorët gjatë një periudhe dy vjeçare. Gjendja e jashtëzakonshme për pandeminë COVID-19 deklaruar nga qeveria italiane më 31 janar u zgjat deri më 15 tetor.