Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka bërë të ditur se, për periudhën 6-mujore të këtij viti janë depozituar 977 kërkesa në lidhje me objektet e pronësisë industriale.
“Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale synon të forcojë sistemin e mbrojtjes së Pronësisë Industriale brenda territorit shqiptar nëpërmjet njohjes, regjistrimit dhe promovimit të objekteve të PI dhe të drejtave që burojnë nga regjistrimi i tyre, duke garantuar një nivel mbrojtjeje të njëjtë me atë të vendeve të Bashkimit Europian”, shprehet Denaj.
“Për periudhën janar-qershor 2020 janë depozituar 977 kërkesa në lidhje me objektet e Pronësisë Industriale. Numri më i madh i aplikimeve për regjistrim të markave kombëtare është nga biznesi vendas me 778 aplikime nga subjekte shqiptare, nga 1157 aplikime në tërësi”, bën të ditur Denaj.
Ministrja thekson se ndërgjegjësimi i subjekteve vendase dhe informimi lidhur me rëndësinë e regjistrimit të patentave, modeleve, markave tregtare dhe të shërbimit, dizenjove industriale, treguesve gjeografikë etj., mbetet shumë i rëndësishme për zhvillimin e një tregu të shëndetshëm.