Shkolla 9- vjeçare, “Ahmetaq” në Vorë, u rrënua 26 nëntorin e shkuar, por në 26 nëntorin që po vjen do të rihapë dyert e rilindur për nxënësit dhe mësuesit, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane.
Kështu deklaroi sot Kryeminsitri Edi Rama ndërsa publikoi pamje nga punimet që po kryhen për rindërtimin e shkollës si dhe të projektit të saj.
Në të gjitha zonat e prekura nga tërmetit të fortë që goditi vendin tonë në 26 nëntor të vitit që lamë pas janë 143 shkolla që do të ndërtohen të reja, me standarde europiane në kuadër të programit të rindërtimit me fonde nga buxheti i shtetit dhe donatorët.
“143 shkolla të reja me standarde europiane, të gjitha gati brenda vitit 2021, në vend të godinave të sojsojshme të goditura nga fatkeqësia e fundvitit 2019, janë një përgjigje kuptimplotë në emër të Shqipërisë që duam”, tha Rama.