Shkolla dhe kopshti “Adem Gjeli” në Ishëm të Durrësit, e cila u rrënua 26 nëntorin e shkuar, do të rihapë dyert me kushte optimale.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa ndau edhe pamje nga kantieri i ndërtimit të kësaj shkolle, që sipas tij, “nuk do të ketë dallim nga shkollat e komunave europiane”.
“Shkolla dhe kopshti “Adem Gjeli” në Ishëm të Durrësit, u rrënua 26 nëntorin e shkuar, por 26 nëntori që po vjen do të rihapë dyert e rilindur për nxënësit dhe mësuesit, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se 143 shkolla të reja me standarde europiane do të jenë të gjitha gati brenda vitit 2021.
“143 shkolla të reja me standarde europiane, të gjitha gati brenda vitit 2021, në vend të godinave të sojsojshme të goditura nga fatkeqësia e fundvitit 2019, janë një përgjigje kuptimplotë në emër të Shqipërisë që duam”, tha Rama.