Kryeministri Edi Rama inspektoi sot nga afër disa prej kantiereve të rindërtimit në Shijak, ku po punohet për akomodimin e 874 famijeve në shtëpi të reja, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për furnizimin me energji dhe ujë të pijshëm, kanalizime, ndriçim e sinjalistikë rrugore, rrjetin e telefonisë e internetit, krahas 6 shkollave të reja. Bashkë me Ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Kryeministri Rama ishte në Shijak për të ndjekur punimet që vijojnë çdo ditë, në një tjetër kantier për rindërtimin e çdo pasoje të 26 nëntorit. Kryeministri theksoi se “është një transformim epokal i bashkisë së Shijakut dhe kalim në një nivel tjetër komplet, të kushteve të banimit, të jetës në komunitet dhe të shërbimeve.
Ai inspektoi po ashtu edhe punimet që po kryhen në shkollën e mesme të përgjithshme “16 Shtatori”, në këtë bashki. “Kjo është mundësi e mirë për të sqaruar disa që komentojnë ‘ku janë paratë e botës’, ‘ku i çuat paratë e botës’, ‘bota dha paratë’… dhe për të thënë që paratë e botës, bota i administron vetë, nuk janë para thesi që vijnë në Shqipëri dhe u jepen autoriteteve shqiptare. Por, janë fonde që administrohen nga vetë BE, përmes strukturave të veta, me procedurat e veta”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se “për të reaguar sa më shpejt qeveria ka bërë procedura speciale dhe kemi shkurtuar në mënyrë drastike kohën e procedurave”. “Për këtë arsye jemi sot në gjithë këto kantiere, si për shtëpitë edhe për shkollat. Ndërkohë që procedurat e BE-së dhe të shumë vendeve të tjera në këto situata janë shumë më të zgjatura. Për këtë arsye shkollat që do të financohen nga BE janë ende në përfundimin e procedurave, së shpejti hapen kantieret”, tha Rama.
Por, ndërkohë, ai theksoi se “ne po shkojmë në kat të dytë, në kat të tretë dhe në 26 nëntor do hapim një pjesë të rëndësishme të tyre, ndërsa shkollat e tjera do vijojnë”. “Kjo është një nga arsyet pse në Itali ka sot akoma jo një e dy, por mijëra njerëz që presin në kabina të futen në shtëpi edhe pas 4 apo 10 vitesh që ka rënë tërmeti. Procedura, ankesa, verifikime, riverifikime, pastaj spostim financimesh, pastaj alokime. Këtu
ndërkohë kjo gjë, të paktën sa i takon pjesës sonë dhe buxhetit me taksat e shqiptarëve, jo vetëm nuk ka ndodhur por është komplet ndryshe”, tha Kryeministri.
Rama garantoi se “shkollat e Rindërtimit do të jenë shkolla të shekullit të ri në kuptimin më të mirë të fjalës”. “Janë me standarde 100% të BE-së, kushte optimale, të gjithë elementët plus si laboratorë e hapësira sportive e kështu me radhë dhe po kështu me shtëpitë”, tha Rama. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se investimi në infrastrukturë këtu arrin në një vlerë prej rreth 2 milionë dollarë, që i paraprin ndërtimit të pallateve. Ai tha se “bashkia e Shijakut është një nga 4 bashkitë, ndër 11 të tilla, që përfiton në mënyrë të konsiderueshme nga Rindërtimi, janë gati 600 shtëpi individuale plus 400 apartamente”, tha ai.
Ndërkohë ai informoi se “përvec një granti 2.5 milionë që kërkon një procedurë specifike të Greqisë, të gjitha grantet e tjera nga të gjitha vendet, qoftë ato me kontribut si Komisioni Europian në programin e shkollave, apo ato të shtëpive të Emirateve dhe Qeverisë turke, të gjitha janë të përfunduara dhe në procesim në terren”. Kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana informoi se lagjja “Lugina”, është një nga lagjet më të prekura në bashkinë e Shijakut. “Para dy muajsh nisën demolimet e 18 pallateve dhe evadimi i mbetjeve për t’i hapur rrugë rindërtimit. Sot ne jemi në fazën e infrastrukturës së brendshme për rindërtimin e pallateve. Në javën e parë të tetorit do vazhdojmë themelet për pallatet. 400 familje përfitojnë nga rindërtimi i pallateve dhe të gjitha këto familje po trajtohen me bonus qeraje”, tha ai.