Policia ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me operacionin e sekuestrimit të pronave të Ylli Ndroqit.

“Finalizohet me sukses puna hetimore proaktive afro 18-mujore, për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FLO në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, finalizoi me sukses ekzekutimin e urdhrit për sekuestrimin e pasurive dhe bizneseve të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu).

Pas afro 18 muajsh hetime proaktive të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me homologët dhe agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese, bazuar në provat e grumbulluara, u regjistrua procedimin pasuror Nr. 10 i vitit 2020, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), si subjekt i ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit te organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.