Dy superfuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia i bëjnë thirrje Bjellorusisë që të pranojë ofertën e propozuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama për të ndërmjetësuar krizën në cilësinë e kreut të Presidencës së OSBE-së. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo përmes një deklarate i kërkon Minskut dhe konkretisht diktatorit Lukashenko që të pranojë ofertën e OSBE-së për dialog.
“Shtetet e Bashkuara janë frymëzuar nga protestat paqësore të qytetarëve në Bjellorusi që kërkojnë të përcaktojë të ardhmen e tyre. Ne qëndrojmë në përkushtimin tonë afatgjatë për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bjellorusisë, si dhe aspiratat e popullit Bjellorusi për të zgjedhur udhëheqësit e tyre dhe të zgjedhin rrugën e tyre, të lirë nga ndërhyrjet e jashtme.Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar nga të metat serioze në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi dhe dënojmë me forcë dhunën e kryer kundër protestuesve dhe gazetarëve paqësorë, arrestimin e kandidatëve të opozitës dhe protestuesve paqësore, bllokimin e shërbimit të internetit dhe abuzimin e të ndaluarve. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të atyre që janë arrestuar padrejtësisht.
Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjedhje të lira dhe të ndershme që pasqyrojnë vullnetin e popullit bjellorus. Zgjedhjet e 9 gushtit nuk e përmbushën atë standard. Bjellorusia, si Shtetet e Bashkuara, është një anëtar i OSBE-së, i cili i mbështet ato standarde.
Ne i kërkojmë qeverisë së Bjellorusisë të pranojë ofertën e kryesisë së OSBE-së për të lehtësuar dialogun dhe të angazhojë të gjithë palët e interesuara. Ne mbështesim përpjekjet ndërkombëtare për të parë në mënyrë të pavarur parregullsitë elektorale të Bjellorusisë, abuzimet e të drejtave të njeriut rreth zgjedhjeve dhe goditjet që kanë pasuar” shkruan Pompeo.
Propozimi i kryeministrit Edi Rama është mirëpritur edhe nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin. Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov lidhur me situatën në Bjellorusi. Sipas burimeve nga Kryeministria, Vladimir Putin mbështet ndërhyrjen e OSBE në Bjellorusi për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës pas zgjedhjeve.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se është duke punuar së bashku me BE-në për të realizuar misionin ndërmjetësues në Bjellorusi për zgjidhjen e krizës. BE-ja pranoi propozimin e Kryeministrit Rama në cilësinë e kreut të OSBE për të zhvilluar një takim me presidentin bjellorus Lukashenko dhe lideren e opozitës SvetlanaTikhanovkaya.
Liderët e Europës vendosën që të mos njihnin zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, të cilat nxjerrin fitues Alexandër Lukashenko, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së opozitës në Bjellorusi. Kancelaria Gjermane, Angela Merkel i quajti zgjedhjet në Bjellorusi “as të lira e as të drejta”. (Shqiptarja.com)