Familja prej katër anëtarësh e Ardjan Allaraj, në fshatin Farkë e Madhe, prej ditës së sotme do të mund të jetojë në shtëpinë e rindërtuar pas dëmeve nga tërmeti i muajit nëntor të vitit të shkuar. Çelësi i shtëpisë së re është dorëzuar simbolikisht nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili pa nga afër shtëpinë e re të ndërtuar sipas projektit model tip që përfshin dy dhoma gjumi, ambiente gatimi dhe të ngrënies, korridor, tualatet dhe verandë. Të pranishëm në dorëzimin e shtëpisë së parë të përfituar nga procesi i rindërtimit ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
Kryebashkiaku i Tiranës sqaroi se shtëpia është bërë në një kohë rekord dhe se po vijon puna me të njëjtën shpejtësi edhe në zona të tjera. “Të gjithë këta mjeshtrit që thonin, si bëhet shtëpia duhet të kuptojnë, që ikën nga ajo për të mbërritur te kjo. Shtëpia është bërë në kohë rekord dhe të gjitha mbarojnë më shpejt se 8-javëshi i përcaktuar në kontratë”, tha Veliaj. Sipas tij, përfundimi i shtëpisë i ka dhënë zgjidhje edhe letrave të tokës dhe godinës. “Nesër, këtë pronë, ose ua lë kalamajve ose e shet. Pra ka një aset që mund të përdoret në treg. Se më përpara s’kishin as letra toke, as shtëpie. Momentalisht ne kemi filluar edhe në Baldushk, kontratat. Isha këtë fundjavë dhe në Zall-Herr, kemi filluar edhe aty shtëpitë. Këto shtëpitë që janë në të njëjtin terren siç ka qenë shtëpia e vjetër. Ndërkohë do fillojmë edhe me lagjet e përqendruara, me Vaqarrin, Zall-Herrin, Ndroqin, Pezën”, sqaroi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se në të gjithë Tiranën janë 871 shtëpi nga të cilat 400 kanë lidhur kontratën nëpër territore. “Pjesa tjetër janë kryesisht këto që kemi dorëzuar, kështu që edhe ato do të fillojnë me paketat. Kemi siguruar që t’i bëjmë të gjitha letrat në rregull. Unë e kuptoj edhe dëshirën tuaj për të ecur shpejt, por kishim një rast për shembull në Zall-Herr. Këta kolegët e PD-s thoshin ja një që nuk i është bërë shtëpia. Zbulojmë në fakt që nuk kishte shtëpi fare dhe nuk ishte prej tërmetit, kështu që parimi është, kush ka nevoja sociale do të trajtohet me bonus qeraje me këto projektet tona sociale, ama kush është legjitim i tërmetit me gjithë dosjen e rregullt do të bëhet për tërmetin”, theksoi Veliaj. Ai siguroi se deri në nëntor që mbushet viti do të kenë mbaruar shtëpitë individuale, ndërkohë për 6 javë do të hidhen themelet e pallateve të para në “5 Maji” dhe “Kombinat”. “Do të fillojmë me pallatet. Besoj që me shkollat do të kemi përgjigjet javën tjetër, pastaj do të shohim dhe këto procedurat e ankimit dhe do të fillojmë me 11 shkollat, kështu që na kap një kantier shkollash të paimagjinueshme”, përfundoi Veliaj. Hyrja në shtëpinë e re të familjes Allaraj përkoi edhe me ditëlindjen e vajzës së kësaj shtëpie, Merisilda, e cila mbush 13 vjeç.