Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë disa rekomandime se si duhet të mbajmë maskën e pëlhurës në mënyrë të sigurt.

Në videon e realizuar nga OBSH thuhet se një maskë pëlhure vepron si një pengesë për të parandaluar përhapjen e virusit.

Këto janë disa nga rregullat që ka rekomanduar OBSH-ja të përdoren gjatë vendosjes së maskës: Pastroni duart para se ta vendosni, inspektoni maskën dhe mos e përdorni nëse është e dëmtuar ose e ndotur, mbulojeni gojën, hundën dhe mjekrën, rregulloni maskën në fytyrën tuaj duke mos lënë boshllëqe anash, shmangni prekjen e maskës gjatë mbajtjes së saj.

OBSH po ashtu ka dhënë rekomandime edhe se si duhet hequr maska atëherë kur ajo ndotet ose lagët.

OBSH rekomandon se para heqjes së maskës fillimisht duhet pastruar duart, pastaj e largojmë nga rripat prapa kokës ose veshëve pa prekur pjesën e përparme të maskës, gjatë largimit të maskës nuk duhet mbajtur atë afër fytyrës dhe pastaj të pastrojmë sërish duart.

“Nëse keni nevojë të ripërdorni një maskë pëlhure, ruajeni në një qese të pastër dhe të mbyllur. Lani maskën e pëlhurës në sapun ose pastrues mundësisht me ujë të nxehtë, të paktën një herë në ditë”, rekomandon OBSH.

OBSH thekson se vetëm maska nuk na mbron nga virusi, prandaj duhet respektuar edhe masat tjera parandaluese.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme në Kosovë janë shënuar 205 raste të reja me COVID-19, dhe 11 të vdekur.

Deri më sot numri i rasteve pozitive ka arritur në 10 mijë e 795 dhe 365 raste të vdekjes. Kurse numri i të shëruarve është 6 mijë e 411, dhe raste aktive janë 4 mijë e 19.