Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino thotë se përhapja e infeksionit COVID-19 dhe rritja e të prekurve në këtë periudhë po shkaktohet nga festat dhe grumbullimet e të rinjve në plazhe, nga dasmat dhe ceremonitë mortore, të cilat po zhvillohen ende si më parë.

Përfaqësuesja e komitetit teknik denoncon publikisht thyerjen e karantinës nga personat e infektuar. Bino i kërkon policisë dhe strukturave vendore të punojnë për të identifikuar dhe ndëshkuar të infektuarit që dalin nga izolimi. Kjo sjellje sipas saj po dëmton punën e deritanishme të mjekëve dhe epidemiologëve në terren.
Bino thotë se Tirana vijon të jetë vatra e infeksionit të Covid-19, por këtë periudhe raste të shtuara ka Durrësi për shkak të ardhjes së pushuesve nga Kosova, mes tyre dhe të infektuar, si dhe Korça, ku edhe aty është vërejtur hyrje e virusit nga jashtë. Edhe pse janë raste të importuara ato raportohen dhe llogariten në shifrat zyrtare të Shqipërisë.

Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik tregon për A2 se numri i testeve do të arrijë 1 mijë në ditë. Me mbështetjen e fundit të OBSH janë shtuar aparaturat e testimit në ISHP, kitet si dhe po ngrihet rrjeti i laboratorëve Covid, përfshirë edhe strukturat private.