Situata në Bjellorusi vazhdon të mbetet në fokus të faktorit ndërkombëtar, të cilët siç raportojnë medie prestigjioze kanë pasur në diskutim edhe propozimin e kryetarit të OSBE-së, Edi Rama për lehtësimin e dialogut në këtë vend. Kështu, kryeredaktorja e “Le Monde”, Sylvie Kauffmann, informoi sot se “Makron dhe Merkel kanë pasur biseda me Putinin për ndërmjetësimin e OSBE-së dhe lideri rus ka rënë dakord”.
Ndërkohë, Kauffmann shprehet se presidenti i Bjellorusisë, Lukashenko ngurron për ta pranuar porpozimin. “Makron dhe Merkel për Bjellorusinë: Kemi pasur disa biseda me Putinin. Kemi sugjeruar ndërmjetësimin e OSBE-së. Putin është dakord, ndërsa Lukashenko ngurron”, shkruan Kauffmann në një postim në Twitter. Udhëheqësit e BE-së por edhe SHBA janë shprehur pro një ndërmjetësimi mes palëve në Bjellorusi nga ana e Kryesisë së OSBE-së, që drejtohet nga Shqipëria.Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha sot se SHBA i kërkon qeverisë së Bjellorusisë të pranojë propozimin e kryetarit të OSBE-së për të lehtësuar dialogun dhe të angazhojë të gjithë palët e interesuara.