Ish-Drejtori i Shërbimeve Bashkiake, pranë Bashkisë Mat, Xhezmi Dika është kallëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat. 59-vjeçari, lindur e banues në fshatin Shoshaj, Njësia Administrative Lis akuzohet për “Shpërdorim detyre”, vepër penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Burime pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat bënë me dije se kallëzimi është dorëzuar një ditë më parë pranë këtij institucioni dhe se menjëherë pritet të nisin hetimet për zbardhjen e abuzimeve të kryera nga ish-zyrtari i Bashkisë Mat dhe persona të tjerë, të lidhur me të.

“Me urdhrin Nr.260, datë 23.12.2015 “Emërim Punonjësi”, shtetasi z. Xhezmi Dika është emëruar Drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Bashkiake, Bashkia Mat. Sipas informacioneve të marra pranë kësaj drejtorie, jemi vënë në dijeni se ky shtetas ka shpërdoruar detyrën shtetërore në periudhën që ka qenë drejtor, me veprime të cilat konsistojnë në konfirmimin e listëprezencave dhe borderove të pagesave për punonjës të cilët nuk janë paraqitur në punë dhe nuk kanë kryer detyrat objekt kontrate për të cilat janë paguar nga ana e kësaj drejtorie, veprime këto në dëm shtetit”, thuhet në kallëzim.

Gjatë periudhës, vitet 2016 – 2019, punonjësi E. L, i cili ka qenë në marrëdhënie pune pranë kësaj drejtorie (për periudhën 20.05.2016 deri më datë 18.09.2019) duke u paguar si punonjës i kësaj drejtorie, kur ky i fundit në të njëjtën periudhë ka qenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në lidhje me këtë fakt, me shkresën Nr.Prot.2746, datë 06.07.2020 “Kërkesë për informacion” drejtuar Komisariatit të Policisë Mat, është kërkuar vënia në dispozicion e informacionit me të dhënat e nxjerra nga sistemi TIMS për hyrje-daljet dhe kohën e qëndrimit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë së shtetasit E.L, për periudhën: vitet 2016, 2017, 2018 dhe nga data 19.08.2019 e në vazhdim.

Sipas nenit 248, “Shpërdorimi i detyrës” nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.”

Në analizën ligjore të fakteve të grumbulluara thuhet se: “Në rastin konkret, duke qenë se nga ana e shtetasit Xhezmi Dika në kohën që ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Bashkiake, Bashkia Mat ka paguar punonjësin E.L, në një kohë kur ai nuk ka qenë në vendin e punës për shumë muaj, kemi të bëjmë me shpërdorim detyre pasi ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit me anë të falsifikimit të dokumenteve, siç është në rastin konkret atë të përpilimit të akteve: Listëprezencë dhe bordero me të dhëna pjesërisht të rreme që nuk i përgjigjen realitetit, pasi ish-punonjësi E.L, duke mos qenë në punë, në këto akte është shënuar prezenca e tij në punë, veprime këto në shkelje flagrante të ligjit në dëm të buxhetit të shtetit, ç’ka përbën shpërdorimin e detyrës nga personat përgjegjës, siç është dhe Xhezmi Dika që ka ushtruar detyrën e drejtorit në atë periudhë.”

Në kërkesën drejtuar akuzës, Bashkia Mat thotë se: “Për sa më sipër, i kërkojmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, fillimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasit, zotit Xhezmi Dika, në detyrën e ish Drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Bashkiake, Bashkia Mat, si dhe personave të tjerë akoma të paidentifikuar, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” që mund të rezultojë gjatë hetimit si të kryer në bashkëpunim, parashikuar respektivisht nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.”