Mjeku i njohur Skënder Brataj i cili ka kaluar infeksionin e Covid-19 ka dhuruar ditën e sotme plazmën e gjakut që do të përdoret për të shëruar pacientët e sëmurë. Brataj shprehet se kjo është një iniciativë që duhet të përqafohet nga të gjithë ata që e kanë kaluar virusin në mënyrë që personat e infektuar të marrin trajtim.
“Besoj se jam i pari ose ndër të parët personel mjekësor i infektuar në Shqipëri. Kjo iniciativë duhet të fillojë sa më shpejt në Shqipëri. Kjo është iniciativë që duhet të përqafohet nga të gjithë ata që kanë kaluar infeksionin që të grumbullohet sa më shumë gjak që pacientët që kanë nevojë për tranfuzion gjaku ta kenë atë në dispozicion. Ju lutem të gjithë merrni pjesë në dhurimin e gjakut”, u shpreh Brataj.
Momenti i dhurimit të gjakut nga Skënder Brataj është ndarë edhe nga ministrja Ogerta Manastirliu e cila ka vlerësua gjestin e tij.
“Krenare për ekipin e mjekëve, që edhe me shembullin vetjak, tregojnë vlerat e solidaritetit dhe humanizmit. Dr. Skënder Brataj i është bashkuar nismës “Bëhu hero për dikë që ka nevojë”, për të dhuruar gjak, që do të shërbejë për trajtimin e pacientëve me COVID19.
Bëhu edhe ti hero për dikë që ka nevojë për ty!”, shkruan ministrja. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, dy spitaleve universitare, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin “Shefqet Ndroqi” ka nisur procedurën për terapinë e plazmës për trajtimin e të prekurve nga COVID-19 që janë në trajtim spitalor.