Në kuadër të masave të marra nga bashkia e Tiranës për kapërcimin e situatës së krijuar nga COVID-19, Këshilli Bashkiak ka vendosur shtyrjen e afatit të dorëzimit të dokumentacionit për fazën e dytë të kredisë së butë deri më 9 shtator.
“Këshilli Bashkiak ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të dorëzimit të dokumentacionit për fazën e dytë, për programin ‘Subvencionimi i interesave të kredisë’, financuar nga buxheti i shtetit. Afati për aplikim sipas kësaj thirrje, për fazën e dytë fillon me datën 11 gusht dhe përfundon në datën 9 shtator”, informon bashkia e Tiranës.
Përmes këtij programi, të gjitha familjet që nuk kanë një apartament dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar kreditë me kushtet e tregut, mund të përfitojnë nga kreditë e buta të ofruara nga bashkia e Tiranës.
Kjo është thirrja e tretë për të përfituar nga kredia e butë ndërkohë që fazën e parë e kaluan 2 mijë aplikantë ku përfitues do të jenë 1 mijë familje.