Një shprehje e urtë thotë se koha është flori. Por a e dini se pjesën më të madhe të kohës së grave shqiptare e zënë punët e shtëpisë, gatimi, kujdesi për fëmijët apo të moshuarit. Gratë shqiptare kanë shumë më pak kohë për t’u kujdesur për veten, të merren me sport, evente kulturore apo argëtuese në krahasim me burrat. Ndërkohë që krahasuar me vendet e BE-së dhe rajonit, indeksi i barazisë gjinore në fushën e kohës është më i ulët në vend…
Indeksi i Barazisë Gjinore në Fushën e Kohës për Shqipërinë është 48,1. Sipas nënfushave, vihet re se në nënfushën e aktiviteteve të kujdesit shënohet një vlerë pak më e lartë e indeksit se sa në nënfushën e aktiviteteve sociale. INSTAT shpjegon në raportin e Barazisë Gjinore se Fusha e Kohës lidhet me e punën e paguar dhe punën e papaguar në shtëpi dhe me kujdesin për fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes, si dhe me raportin që zë puna ndaj kohës së lirë. Mes burrave dhe grave në Shqipëri ka një dallim të ndjeshëm sa i përket përqindjes së personave që shprehen se kujdesen për fëmijët apo nipërit dhe mbesat e tyre, për të moshuarit apo për personat me aftësi të kufizuara çdo ditë, me përkatësisht 51.1 për qind e grave dhe 24.6 për qind e burrave.
Kur bëhet fjalë për gatimin dhe punët e përditshme të shtëpisë, ky aktivitet përbën 87.8 për qind për gratë dhe vetëm 16.1përqind për burrat. Nga ana tjetër, gratë i kushtojnë më pak kohë aktiviteteve sportive, kulturore ose argëtuese jashtë shtëpisë çdo ditë ose disa herë në javë–31.4 për qind në rastin e grave dhe 43.9 për qind në rastin e burrave. Te gratë, 5.4 për qind janë të përfshira në aktivitete vullnetarizmi apo bamirësie të paktën një herë në muaj, kurse në rastin e burrave janë 3.4 për qind ata që merren me aktivitete të tilla.
Si krahasohemi me BE-në
Rezultati i indeksit për Shqipërinë në fushën e kohës është më i ulët se sa mesatarja e BE-28 me 17.6 pikë. Në BE, ka mesatarisht një numër më të vogël personash që kujdesen çdo ditë për fëmijët apo për anëtarë të tjerë të familjes sesa në Shqipëri (37.5 për qind e grave dhe 24.7 për qind e burrave), duke shënuar kështu një dallim ende të ndjeshëm gjinor.
Dallimi gjinor është shumë më i dukshëm në BE se sa në Shqipëri në lidhje me gatimin dhe punët e shtëpisë, ku 78.7 për qind e grave e kryejnë këtë aktivitet çdo ditë, ndërkohë që në rastin e burrave janë 33.7 për qind. Sa u përket aktiviteteve sportive, kulturore dhe aktiviteteve të tjera argëtuese të përditshme apo disa herë në javë, gratë dhe burrat janë në numër më të vogël në BE se sa në Shqipëri (27.5 për qind e grave dhe 31.9 për qind e burrave), duke shënuar edhe këtu një dallim të konsiderueshëm gjinor në favor të burrave, shkruan ‘Monitor’.
Nga ana tjetër, mes grave dhe burrave në BE, ka një përqindje më të madhe të personave të përfshirë në aktivitete vullnetarizmi apo bamirësie të paktën një herë në muaj (12.2 për qind e grave dhe 11.4 për qind e burrave).
Krahasuar me Shtetet Anëtare të BE-së dhe me dy vendet kandidate të BE-së, Shqipëria renditet 27/31 në bazë të vlerës së indeksit në fushën e kohës. Ajo është e pozicionuar mes Serbisë dhe Portugalisë dhe më lart se Sllovakia, Greqia dhe Bullgaria.